Flash News

KRYESORE

Heqja e taksës ndaj Serbisë, të gjithë kundër Albin Kurtit, SHBA kundër

Heqja e taksës ndaj Serbisë, të gjithë kundër Albin

Që nga 21 nëntori i vitit 2018, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë qenë të detyruara të paguajnë taksën 100 për qind, për të futur mallrat e tyre në territorin e Kosovës. Vendimin për vendosjen e kësaj mase e kishte marrë kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.

Por kjo gjë ndryshoi sot me vendimin e Kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se taksa për lëndën e parë do të hiqet që më 15 mars, ndërkohë që nëse Serbia stopon procesin e lobimit për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës, taksa hiqet tërësisht më 1 prill.

Por jo pozitive kanë qenë reagimet nga të gjitha palët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë hedhur menjëherë poshtë propozimin e Albin Kurtit.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter shkruan se qëndrimi i SHBA ishte i qartë, që taksa të hiqet plotësisht.

“Nuk i përkrahim masat gjysmake të Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është shumë i qartë: taksat duhet të hiqen krejtësisht. Z. Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Grenell.

Gjithashtu e ka refuzuar edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.

Ndërkohë që edhe nga brenda Qeverisë ka pasur përplasje.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth trysnisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të vendit për heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia. Hoti ka thënë se ajo që është prezantuar nga kryeministri i vendit “nuk është vendim i Qeverisë”.

“Vendimet e qeverisë merren në mbledhje të qeverisë, jo në konferencë për media. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim pa koordinim me partnerët qeverisës”, ka pohuar Hoti. Sipas tij, ajo çfarë u tha sot nga Kurti përbën vetëm “propozim të kryeministrit se si ai e sheh çështjen e tarifës dhe reciprocitetit”.

Edhe eksponentë tjerë të LDK-së janë shprehur se nuk janë dakord me propozimin për heqje të pjesë por kërkojnë heqje të plotë të taksës.

Ndërkohë që shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kurtit për heqjen e taksës.

Haradinaj në një lidhje telefonike në “Debat Plus”, ka thënë se duhet konstatuar se “Kurti është një mashtrues i madh publik”.  “Sot mori një vendim të njëanshëm që si duket nuk e ka konsultuar as partnerin që e kanë në qeveri. Po tingëllon që vet zoti Kurti është si një “Coronavirus” në Kosovë”.

Të fundit