Flash News

KRYESORE

Kriza në PS shfaqet në përplasjen Rama-Bushati në Shkodër

Kriza në PS shfaqet në përplasjen Rama-Bushati në

Që kur u largua nga posti i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati i ka shtuar dozat e kritikave ndaj Qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit Edi Rama. Konflikti midis “grupit” të përfolur të Bushatit, ku raportohet se bëjnë pjesë edhe ish-ministra të tjerë, dhe kryeministrit Rama, tashmë nuk fshihet më dhe kjo situatë u pasqyrua edhe sot në Shkodër.

Në kuadër të takimit ‘Bashkia që duam’, deputeti Bushati shprehu pakënaqësi me projektin ‘Rilindja Urbane’, që, sipas tij, nuk ka sjellë përfitime për Shkodrën. Një projekt shumë i mbrojtur dhe i reklamuar nga Rama, por që për Bushatin nuk ka dhënë efekt. Efekt në ekonominë e qytetit, tha Bushati, nuk ka dhënë as ndërtimi i stadiumit ‘Loro Boriçi’.

“Nuk jemi të kënaqur me atë çfarë kemi bërë për Shkodrën me ‘Rilindjen Urbane’, pavarësisht se Shkodra është një ndër qytetet që ka stadium. Stadiumi nuk është kthyer në ekonomi vendore për qytetin, pavarësisht se këtu kanë ardhur yje të botës për të luajtur futboll me Kombëtaren Shqiptare apo me Kombëtaren e Kosovës që ka luajtur këtu”, tha Bushati në prani të Ramës.

Ndërkohë, kryeministri ka mbajtur qëndrim tërësisht tjetër kur inauguronte ‘Loro Boriçin’ në 2015-ën: “Stadiumet janë ekonomi direkte dhe indirekte. Ne jemi të bindur se ky stadium do t’i sjellë Shkodrës shumë më shumë, jo vetëm gjatë ndeshjeve të Kombëtares, por edhe falë vizitorëve që do të vijnë këtu.”

Por këto nuk ishin kritikat e vetme të Bushatit, ndonëse fjalimi i tij nuk ishte i gjatë. Ai kundërshtoi hapur edhe vendimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini, për të zhvendosur nga Shkodra për në Lezhë drejtorinë rajonale të arsimit. Ai e konsideroi këtë vendim në kundërshtim me traditën historike të kryeqendrës së veriut.

“Është gjithashtu përgjegjësia jonë që disa çështje sensitive që kanë të bëjnë me traditën e këtij qyteti, ndoshta është më mirë që ne t’i kemi në konsideratë. Unë e di se shumë prej jush më kanë shkruajtur për transferimin e drejtorisë rajonale të arsimit nga Shkodra në Lezhë. Shkodra ka qënë gjithnjë mikpritëse për qytetarët ngado vinin. Por ne e dimë sepse jemi ai qytet që në 1600-1700 personalitete të Shkodrës kanë krijuar shkollat fillore këtu edhe për shkak të kësaj tradite të pasur. Ishte Shkodra dhe Luigj Gurakuqi ministri i parë i Arsimit i Qeverisë së Ismail Qemalit. Ishte Shkodra që i dha vendit një institut që më vonë u kthye në universitet. Janë pikërisht këto shqetësime që kanë lidhje me traditën shumë të konsoliduar të këtij qytetit që na bëjnë që herë herë të dukemi sikur mendojmë në mënyrë të ngushtë”, deklaroi Ditmir Bushati.

Vendimin për zhvendosjen e drejtorisë arsimore e ka kundërshtuar edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe personalitete të këtij qyteti.

Sa i përket krizës brenda Partisë Socialiste, Ditmir Bushati po tregohet më i zëshmi në nevojën për ndryshimin e mënyrës se si kjo forcë politike po e qeveris vendin dhe pozicionin që po mban ndaj krizës politike. Këtyre qëndrimeve të Bushatit i është bashkuar së fundmi edhe Niko Peleshi, ish-ministër i Bujqësisë.

Të fundit