Flash News

KRYESORE

“Ky është revolucion”, Gent Cakaj promovon si risi shërbimet ‘online’ që funksionojnë prej vitesh në MEPJ

Gjatë intervistës në emisionin ‘Opinion’, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, njoftoi për një ‘revolucion’ sa i përket shërbimeve ‘online’ që do të ofrohen për qytetarët shqiptarë në botë.

Ai foli për një aplikacion të ri që do të publikohet së shpejti të quajtur ‘Ambasada ime’ dhe që do të përmbajë informacione për Ambasadat e Shqipërisë dhe shtetet për të cilat interesohet qytetari. Cakaj njoftoi edhe digjitalizimin e shërbimeve konsullore dhe nisjen e procesit për ‘e-visa’, kjo e fundit i shërben shtetasve të huaj.

“Shumë shpejt do të bëjmë lançimin e një app mobile që quhet ‘Ambasada ime’, që do të përmbajë informacionin e ambasadave për qytetarët shqiptarë në botë. Mund të sigurohet informacioni se cila ambasadë e mbulon vendin përkatës, në rastin e emergjencave çfarë masash do të ketë, nëse në vendin përkatës hyhet me viza apo pa viza, çfarë ndihmash mund të ofrojnë ambasadat. Ky është një revolucion meqenëse jo vetëm digjitalizon komunikimin por edhe i afron qytetarët e thjeshtë në raport me negociatat. E dyta, do të pasojë me digjitalizimin e shërbimeve konsullore, të vulës apostile dhe jemi duke punuar për procesin ‘e-visa’, është në përpunim e sipër”,  u shpreh Cakaj.

Por këto shërbime për të cilat flet Cakaj janë në funksion prej vitesh në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Aktualisht ekziston një aplikacion i quajtur ‘E-Konsullata’ dhe që ofron informacione të shumta për shqiptarët kur kërkojnë të udhëtojnë në shtete të ndryshme, që nga pajisja ose jo me vizë dhe deri te emergjencat. Pra me aplikacionin ‘Ambasada ime’, Cakaj ka rritur vetëm “nivelin e përfaqësimit” në App Store dhe Play Store, por nuk po sjell një revolucion. ‘E-Konsullata’ mund të pasurohet me shërbime të reja pa patur nevojë të krijohet një aplikacion i ri, për të cilin duhen shpenzuar nga e para taksat e qytetarëve.

Edhe pjesa më e madhe e shërbimeve konsullore ofron aktualisht në internet nga MEPJ.

I gjithë informacioni si për ‘E-Konsullata’ dhe shërbimet e digjitalizuara konsullore mund të gjenden lehtësisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Këto shërbime kanë qenë aty edhe gjatë kohës kur Gent Cakaj ishte zv/ministër i Jashtëm dhe kur institucioni drejtohej nga Ditmir Bushati.

Të fundit