Lleshaj në takim me delegacionin nga Komisioni i Venecias zbardh të fshehtat pas krizës politike

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e cilësoi takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias si mjaft profesional dhe me shumë përmbajtje.

Ai i shprehu delegacionit me përgjegjësi vlerësimet e tij lidhur me zhvillimet politike të këtij viti të ngarkuar me ngjarje të pazakonta, që kulmuan me përpjekjet e shumëfishta për të cenuar të drejtën e zgjedhjeve demokratike në vend.

“Theksova se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërrohen në ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e vendit, falë pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, që nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese.

Ishin pikërisht këta faktorë, të cilët mundësuan që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin rregullisht dhe që skenarët apokaliptikë, të imagjinuar apo të dëshiruar, nuk u bënë realitet dhe që Shqipëria të mos binte në një qerthull të rrezikshëm destabiliteti.”, shkroi Lleshaj në profilin tij në Facebook.