Flash News

OP-ED

Lulzim Basha shtyu sot zgjedhjet e 30 qershorit

Lulzim Basha shtyu sot zgjedhjet e 30 qershorit

Alfred Lela

Lulzim Basha ishte sot, bashkë me armatën opozitare, në paraqitjen e propozimit të detyrave apo misionit të qeverisë Tranzitore. Pas së hënës së Pashkës, kur aleatët e vegjël të Bashës dolën në një konferencë shtypi, dhe një ditë më vonë shkuan në Presidencë, duke krijuar edhe ata një 'pol ndërmjetësimi' apo negociate, ky është hapi i dytë i opozitës për të bërë publik faktin se, përveç 'gjuhës së rrugës' ajo po fut në përdorim edhe 'fjalorin e opsioneve' që përfshin dialogun politik mes palëve.

Tryeza e opozitës sot, me përfaqësues të shoqërisë cilvile, medias, botës akademike etj., dha shenjën e opsionit të dialogut edhe pse e mban gishtin mbi butonin e taktikës politike 'street style'. Qeveria, ka folur edhe ajo për dialog, brenda frazës së vakët, dhe ndoshta hileqare, 'flasim për çdo gjë, por pa prekur kushtetutën'. (Nuk ka gjë se prononcimi është absurd, duke qenë se Rama është një prej bashkëautorëve të një qilizmi të thellë në Kushtetutë në vitin 2008).

Opozita ndoshta e ka patur në mend këtë 'ekzigjencë' të mazhorancës, pasi pikat e paraqitura në platformën e sotme janë të gjitha 'brenda kornizës kushtetuese'. Siç edhe theksohet në dokumentin e opozitës, ama, legjislacioni nuk mund të zëvendësojë vullnetin e munguar politik.

Në gjurmë të gjetjes së këtij vullneti politik, me sa duket, mund të shpjegohet edhe gjuha e platformës së paraqitur sot. Një dokument politik në të gjitha rastet, por jo i politizuar. Dokumenti bënte një eksursion mbrapsht në faqet e librit të zgjedhjeve në Shqipëri, duke ilustruar me shembuj dhe data 'ngecjet' edhe 'çlirimet'.

Platforma e opozitës, me gjërat që vëren dhe thotë se duhen rregulluar, është, pavarësisht teknikalitetit dhe jopolitizimit, një trakt eksploziv. Ai tekst kërkon qeveri Tranzitore, kur duhet të kërkonte qeveri Tranzitore Emergjence Kombëtare. Plagët e sistemit zgjedhor të identifikuara aty e bëjnë pak të dyshimtë misionin e kësaj qeverie të kërkuar nga Basha dhe të tijtë.

Një qeveri, sado teknike, tranzitore me kompetenca anti-mafia, me një paketë speciale zgjedhjesh etj., nuk do të mund t'a kullonte gjakun e keq që rrjedh në venat e zgjedhjeve shqiptare. Ose, në rastin shpëtues për këtë duhet kohë. Sa kohë? Të pakën jo 4 javë të shkreta sa ç'pati qeveria teknike e dy viteve të shkura.

Sigurisht, i duhen edhe kompetenca.

Të paktën jo aq sa ç'patën ministrat e shkretë teknikë të qeverisë së 17 majit, të cilëve u shërbeu 'ministeriali veror' sa për të shtuar një vijë në c-vijat e e tyre. Kompozicioni kohor do ta zbulojë edhe seriozitetin e platformës opozitare. Që do të thotë, nëse Basha pranon me ngut një 'paketë shpëtimi' dhe futet në zgjedhjet e 30 qershorit, (të cilat janë në kalendar dy muaj prej tash), propozimi opozitar nuk është më shumë se një ritakim me qeverinë teknike të dalë nga pakti i 17 majit.

Lulzim Basha, duke ofruar një paketë të shpëtimit të zgjedhjeve, ka shtyrë apo ka lajmëruar mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit. Në mos, e gjitha është 'tërhiqe-e-mos-e-këput'.

 

Të fundit