Flash News

KRYESORE

Mitsotakis zotohet se do të shkatërrojë terrorizmin brenda Greqisë

Mitsotakis zotohet se do të shkatërrojë terrorizmin brenda

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis i ka shpallur luftë terrorizmit brenda vendit. Ai e bëri të qartë se gjatë mandatit të tij do të godasë njëherë e mirë të gjithë elementët terroristë, të cilët rrezikojnë jetët e qytetarëve.

“Dua të uroj Shërbimin e Antiterrorizmit , Policinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarëve për suksesin e tyre të madh. Unë do të doja të përsëris edhe një herë angazhimin tim se do t’i japim një herë e përgjithmonë fund problemit të terrorizmit të brendshëm”, tha Mitsotakis.

Dy persona të akuzuar për terrorizëm u vunë në pranga mbrëmjen e djeshme nga Shërbimi i Antiterrorit grek në kryeqytet.

Ata i përkasin organizatës “Vetëmbrojtja Revolucionare”, e cila ka marrë përgjegjësinë për dy sulme me armë tek selia e PASOK-ut në qendër të Athinës në 2014 dhe 2017 si dhe për sulmet ndaj ambasadave të Meksikës dhe Francës në gusht dhe nëntor të 2016, ku u plagos edhe një polic.

Në kërkim është shpallur edhe një 46-vjeçar.

Gjatë arrestimit të tyre në një shtëpi në lagjen periferike Holargo, u gjetën dhe u konfiskuan 5 armë të tipit kallashnikov, një armë automatike, 4 granata dore, 2 pistoleta, 17 detonatorë (9 prej tyre me telekomandë) dhe eksplozivë të ndryshëm.

Të fundit