Ndodh, më në fund, diçka që bashkon PD dhe PS

…ose pse dy partitë nuk reaguan pas një ‘dizajnimi’ të Ambasadës amerikane që e fuste Lazaratin në ‘listën e zezë’

Alfred Lela
Alfred Lela

Alfred Lela

Politiko.al botoi para pak ditësh një ‘qarkore’ të Rrugës së Elbasanit drejtuar shtetasve amerikanë me paralajmërimin se duhej t’a shmangnin Lazaratin. Po aty sqarohej se punonjësve të Ambasadës u ndalohej të shkonin në fshatin e famshëm të kultivimit të marijuanës. Pozicionet e Ambasadës amerikane, zakonisht merren nga të gjitha mediat në bllok dhe ‘interpretohen’ sipas linjës editoriale, në favor të qeverisë ose të opozitës. Jo këtë herë. Përveç Politiko.al dhe një reagimi të ish-kryetarit të PD të Gjirokastrës, Roland Bejko, në Facebook, postim i rimarrë nga jugunews.al, mediat, si tradicionalet ashtu dhe të rejat, heshtën.

Pse?

Sa i takon mediave proqeveritare është e thjeshtë. Shpallja e Lazaratit si ‘territor i rrezikshëm’, më shumë se ritargetimit të një fshati në Jug të Shqipërisë riprofilizon gjithë temën qendrore të propagandës qeveritare, sipas së cilës vetëm PS arriti të futej në fshatin e dalë jashtë kontrollit gjatë qeverisjeve demokrate. Rikthimi i Lazaratit në ‘hartën e kuqe’ të Ambasadës amerikane është një goditje për pretendimin disa vjeçar, në themelet e të cilit u flijua një dëshmor, se ‘qeveria Rama’ i dha fund territoreve të pakontrollura të drogës në Shqipëri. Krejt e kundërta, ‘qarkorja’ amerikane riprodhon tehun e kritikëve të qeverisë, të cilët kanë thënë vazhdimisht se Rama e kishte pretekst Lazaratin për të kanabizuar nëpërmjet alibisë së tij Shqipërinë; më saktë droga e ‘fshatit rebel’ vetëm sa ndërroi duar dhe u shtri territor, por nuk u zhduk.

Heshtja socialiste dhe e mediave pro qeveritare është e kuptueshme, por befasia qëndron te memecëria e opozitës dhe mediave të saj. Ngurrimi për të amplifikuar qëndrimin amerikan shpjegon se, edhe opozitës i volit të heshtë për Lazaratin nga frika se mund të humbë një elektorat të fortë anti-socialist. Nuk ka gjë se kësisoj humbet më shumë, pikërisht mundësinë për të goditur mu në zemër të propagandës së rrjeshme qeveritare, e cila nisi bash me hyrjen në Lazarat.

Posaçërisht PD nuk don të trazojë ujrat në një stinë të pritshme elektorale, në mos mendon të përfitojë nga Eldorodoja financiare që shoqëron prodhimin dhe trafikimin e marijuanës.

Nëse ‘qarkorja’ amerikane nuk është lajm për partitë kryesore në Shqipëri, ajo është lajm i keq për shoqërinë shqiptare.

Së pari, sepse duhet një interlokutor i huaj me burime të besueshme inteligjence për të na thënë se çfarë po ndodh në kopshtin e pasmë të shtëpisë dhe, së dyti, sepse palët politike janë gati të pajtohen në heshtje kur ngritja e zërit nuk u intereson as njërës, as tjetrës.

Kjo ngre pyetjen, në cilën kohë dhe në çfarë vendi jetojmë? Interesin e kujt shohin partitë që kanë ndërruar vend në qeverisjen e Shqipërisë që prej vitit 1991? E të tjera pyetje që secili prej jush mund të shtrojë?

Ka edhe një ‘zbulesë’ tjetër të këtij mosreagimi të palëve. Për herë të parë, si kurrë më parë, deklaratat apo dokumente të agjensive apo përfaqësive të huaja nuk janë interpretuar me dy fjalorë, dy gjuhë dhe dy kuptime. Ato kanë rënë dakord kësaj here për të heshtur dhe kjo nuk është pak.

Është shumë, por për keq.

Çfarë tjetër veç së keqes mund t’i bashkojë dy palët? është pyetja që dhemb.