Flash News

KRYESORE

Nëse Rama don t'i zhbëjë 'Sigurimet shoqërore', le ta bëjë

Nëse Rama don t'i zhbëjë 'Sigurimet

Alfred Lela

Një gazetar i Ekonomisë në Top Channel, pasqyruar edhe nga Politiko.al, u 'rebelua' me idenë  e kryeministrit Rama që të ketë një rregullim me ligj, (i cili mund të merret edhe si detyrim) për sigurimin e banesave dhe të pronave. Ndikimi i një gazetari që shpreh një mendim personal në Facebook është relativ, por ky relativitet rritet kur ai e shumëfishon zërin e tij përmes një fortafolësi të rëndësishëm, siç është Top Channel.

Sepse, le ta pranojmë: gazetarët u binden linjave editoriale të pronarëve, por në një mënyrë efemere dhe ndoshta të pakuantifikueshme, edhe bosët e medias u nënshtrohen 'linjave editoriale' të gazetarëve. Nuk ka se si t'ja ndalosh një gazetari një regëtimë shpirtërore apo ideologjike. Ajo do e nxjerrë kryet diku; në një lajm, kronikë dhe, sidomos opinion.

Gazetari Klodian Tomorri shprehte mosdakordësinë e vet me idenë e Kryeministrit për një treg të rregulluar të sigurimeve. Ai maste hendekun që krijohej mes nevojës së tregut të sigurimeve të banesave (ndoshta 3 milionë euro) dhe tavanit prej 50 milionë eurosh që do vendosnin kompanitë e sigurimeve. Çdokdush është në të drejtën e tij, aq më shumë një gazetar, që të ruajë interesin publik.

Por, ka një keqkuptim, le të themi, kur interesi privat nuk shihet si pjesë e interesit publik. Eshtë një gabim që kushton në mënyrën se si i konceptojmë gjërat, si reagojmë ndaj tyre, dhe si rregullojmë raportet në komunitet.

Një mënyrë e të konceptuarit të botës, të jetës dhe të marrdhënieve me shtetin, ishte një nga gjërat që binte më shumë në sy gjatë dhe pas përmbytjes së ditëve të fundit. Çdo banor në hall, nën ujë dhe në mizerjen e skajshme që kalon kur shtëpinë 'ta ka marrë lumi', sapo shihte një mikrofon, kamera apo njeri të administratës qendore dhe lokale, ankohej për shtetin. I cili nuk kishte ardhur, nuk kishte ndihmuar, i kishte braktisur, etj. Pas kësaj vijonte ankesa për dëmshpërblimin e pamarrë të dy viteve të shkuara.

Atyre në hall, nuk mund t'u drejtosh gishtin, por sigurisht mund të bëhet diçka për të krijuar dhe futur në punë një mekanizëm të ri, modern, që ka funksinouar tjetërkund. Idenë aq të njohur të sigurimeve për banesat, tokat dhe pronat e tjera. Përderisa paguajmë për siguracionin e makinës, si mund të mos kemi një shpenzim edhe për shtëpinë apo për shëndetin dhe jetën. Sipas një përllogaritjeje të adminstratorit të një prej kompanive të sigurimeve, nëse të gjithë shtëpitë siguroheshin, kostoja për çdo familje do të ishte 70 euro.

Shumë njerëz mund të pyesin: pse të sigurohem, jetoj në kat të pestë, nuk më mbërrin asnjë ujë. Ka shumë mënyra për ta parë faturën e një sigurimi. Një prej tyre është parabola e Zotit, e thënë, më duket, prej Anjshtajnit: nuk besoj në Zot, por frikën ia kam. Mund të mos besosh se një fatkeqësi, përmbytje, zjarr apo çfarëdoqoftë të qëllojë në shtëpinë tënde, por kija frikës kësaj mundësie.

Një mënyrë tjetër është solidariteti. Të cilin ti je duke 'e shprehur' edhe aktualisht. Pse, nga kujton se dalin ato para me të cilat qeveria dëmshpërblen të përmbyturit, apo rastet e tjera të fatkeqësive natyrore? Sigurisht, nga taksat që paguan, pra direkt nga xhepi yt.

Ekziston ideja edhe e asaj që quhet 'harmonia shoqërore'. Të përmbyturit, apo të prekurit nga tërmeti, zjarret, etj., në mos janë fqinjët e tu, janë të afërmit etj. Çdo mjerim i tyre është edhe i yti. Sipas atij që quhet 'efekt flutur'.

Për mua si individ dhe qenie sociale ka efekt dhe rëndësi të dorës së parë: e liron shqiptarin nga duarshtrirja kah shteti dhe e shndërron atë si individ, duke e vendosur në raporte të reja identiteti dhe konceptualiteti. Shqiptarët nuk mund të jenë më 'qifqinjtë e Enver Hoxhës', ku gjërat zgjidhen me një 'letër udhëheqësit'. Kryeministri Rama e ka luajtur këtë rol, që nuk i del as atij dhe as brezit që përfaqëson, pavarësisht mantelit oksidental përfaqësuar (së jashtmi) me Yamamoto dhe Adidas. 

Megjithatë, ai ka dhënë shkëndijën e një kthese duke propozuar se sigurimi i banesave duhet bërë me ligj. Paradoksalisht, edhe kjo ngjan si një 'zgjidhje e majtë': shteti vendos se çfarë duhet të bëjë qytetari, por është shumë më pak e tillë se rasti kur qytetari pret, i lagur dhe i shkalafitur, që shteti t'i japë dorën.

Kalimi i sigurimeve te ente private është, në shijet e mia, edhe një goditje e dytë që merr mendësia socialiste në Shqipëri, sipas së cilës një i pasur është apriori një zhvatës. Ta vrasim 'kulakun' që kemi në kokë.

Nëse kryeministri Rama do ta zhbëjë mentalitetin e 'Sigurimeve shoqërore', le ta bëjë. Sigurisht, përfshirë edhe gazetarin Klodian Tomorri, të gjithë të përpiqemi ta ndalim nëse qëllimet e mira ai t'i përdorë për qëllime të fshehta apo përfitimi.

Të cilat po hamendësojmë se i ka.

Të fundit