Nga Tirana në NBA. Ermal Kuqo, zbulues i talenteve në LA Clippers

Ermal Kuqo është sot drejtues i Departamentit të Zbuluesve të Talenteve te Los Angeles Clippers, një prej ekipeve kryesore të NBA.

Atë që nuk bëri dot si sportist për të luajtur në NBA, po e bën tashmë si një tjetër aktor i rëndësishëm në kampionatin më të bukur të basketbollit në botë. Te Clippers-at e filloi si këshilltar, por brenda një periudhe të shkurtër ngjiti shumë shkallë njëherësh.

“Për një kohë shumë të shkurtër arrita të jem drejtor i Departamentit të Scout Pro, jo vetëm për Europën, por ndërkombëtarisht”, deklaroi Kuqo.

Duke dalë nga një familje basketbollistësh, Ermali dukej se ishte “dënuar” që të merrej me basketboll. Nga fillimet me Tiranën, edhe pse me një mbiemër që e lidh më tepër me Partizanin, në Turqi, Spanjë dhe deri tek Los Angeles Clippers, janë në mes 23 vjet karrierë si basketbollist: “Tirana ka qenë ekipi ku jam rritur si basketbollist, por unë jam partizans (qesh)”.

Këtë karrierë të gjatë, Ermali e ndërpreu në gusht 2016, por pa e çuar ndër mend të largohej nga sporti i koshit, dashuria e madhe e jetës së tij.

“Trajner nuk doja të bëhesha, pasi eshtë një fushë shumë ndryshe dhe unë jam pak si diktator. Kam luajtur me shumë lotjarë që kanë qenë të padisiplinuar dhe kur mendoja sikur të isha trajneri i tyre… Nuk do të përfundonte shumë mirë dhe besoj se nuk do të kisha karrierë të gjatë si trajner”, shprehet Kuqo.

Kur e pyet për basketbollin shqiptar, Kuqo mbetet konstant në qëndrimet e tij kundër mënyrës se si drejtohet ky sport në vendin tonë: “Për të zbritur tek lojtarët, duhet të shohim kokën, pasi peshku qelbet nga koka. Këtu, çdo njeri që përfundon Institutin Sportiv e ndjen veten trajner basketbolli, merr disa topa dhe ia jep kalamajve vetëm për të fituar para’. E shohin këtë sport thjesht për para’, jo për të rritur breza sportistësh”.

Edhe në grumbullimet e fundit të kombëtares së basketbollit, sytë e trajnerëve dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit mbeten tek elementët që vijnë nga jashtë.

“Arsyeja kryesore përse kërkojnë shpëtim nga jashtë është sepse mendojnë që ata janë përgatitur andej dhe këtu do të na sjellin ndonjë gjë tjetër. Unë kam qenë pjesë e ekipit kombëtar kur u mblodh kombëtarja e parë dhe na futën në motel. I binte derës recepsionisti dhe na nxirrte jashtë sepse vinte klienti i rregullt”, kujton Kuqo.

Megjithatë, e ardhmja e tij, siç vetë e pohon, është basketbolli më i bukur në botë, NBA, dhe të gjitha këto kritika të ashpra lidhen vetëm me dashurinë e tij për këtë sport dhe që në këtë vend, në një të ardhme, të dalin sërish emra si Ermal Kuqo.

“Unë nuk kam asnjë lloj interesi. Unë nuk dua të bëhem as sekretar federate, as president federate. Unë nuk kam ndërmend të kthehem më në Shqipëri”, thotë Kuqo./TCH