Flash News

OP-ED

Çfarë të bëjmë me këtë ngjarje që prodhoi sot Sali Berisha?

Çfarë të bëjmë me këtë ngjarje që

Alfred Lela

Lulzim Basha ka zgjedhur të rezistojë nëpërmjet turpërimit serial të Gazmend Bardhit. I tillë u zbulua sot numri i artikuluar dje nga Sekretari i Përgjithshëm i PD: 5259 firmëtarë për Kuvendin e datës 18.

Edhe dalja e Bashës sot në oborrin e PD, para një tubimi modest dhe të tulatur, një veprimtarie paralele me Kuvendin e pjesës tjetër të partisë, apo qoftë edhe provokimi me mesazhe që pa gdhirë, duke përdorur një intervistë të zv/ndihmës Sekretarit Eskobar dhënë një gazetari të cilin, po Sekretari i tij i Përgjithshëm e pat shpallur non grata para rreth një viti.

Ky rreth absurdi kontrastonte thellë me gjëmimin që ushtonte 500 metra më tej. Rreth 5 mijë delegatë dhe mijëra të tjerë, anëtarë dhe simpatizanë të PD, ishin mbledhur në stadiumin kryesor të vendit për të, sipas tyre të paktën, rithemeluar partinë.

Artan Fuga shkruante në një status se nuk mund ta mbrosh më Bashën pa u dukur budalla. Budallallëku njerëzor, megjithatë, nuk ka kufij, kështuqë ai mund të vazhdojë të derdhet tribunave dhe intervistave, por rrjedha e gjërave dhe e historisë, me sa duket, ka vendosur të shkojë në drejtim të përkundërt.

Lulzim Basha mund të ketë fituar amerikanët, por ka humbur disa palë zgjedhje. Ai mund të jetë në zotërim të vulës, por duket qartë se nuk zotëron partinë, siglën e së cilës përfaqëson.

E me radhë.

Sigurisht, një opsion është edhe shpërfillja e ngjarjes politike që u shpalos sot në stadium. Të shpallurit si jolegjitim dhe non grata të trupës më të lartë politike të Partisë Demokratike, Kuvendit Kombëtar. Shumëzimit me zero të 4923 delegatëve dhe vullnetit të tyre, pra shfuqizimit të vullnetit politik të rreth 75 përqind të këtij forumi.

Por, kjo më së pari do të thotë lënie pa përfaqësim dhe pa zë të pjesës më të madhe të trupës elektorale demokrate, mpirje të një gjymtyre të fortë të trupit politik kombëtar.

Kjo lidhet dirket me shëndetin e demokracisë, procesin politik, zgjedhjet e lira, përfaqimin politik dhe përfundimisht rotacionin politik.

Kjo ngjan si një zgjedhje e mjerë.

Nuk është të zgjedhurit mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, por është pengimi i funksionimit të mekanizmave demokratikë.

Nëse nevojitet një paralele amerikane për ta përforcuar argumentin, mund të shërbejë për këtë lëvizja Tea Party. E cila shpërtheu si nevojë e së djathtës për të shtegtuar politikisht në rrugë të parrahura nga një establishment Republikan në stanjacion. Establishment bëri çmos për t’i mbyllur hapësirat e komunikimit dhe përfaqësimit, dhe nga ky frustrim doli disa vite më vonë Donald Trump, që mundi të gjithë përfaqësuesit e mainstream-it Republikan, fitoi Shtëpinë e Bardhë dhe ka një ndikim kolosal sot në Partinë Republikane, me shanset e një rikthimi në 2024.

Basha me lidershipin aktual kanë rezultuar jopërfaqësues për fashat kryesore të së djathtës së qendrës në Shqipëri. Çdo bast i vënë pro shanseve të tyre është qorrollepsje në të njëjtën rrugë ku e djathta ka humbur që prej vitit 2013.

Lëvizja e Sali Berishës mund të jetë një eksperiment, por ka më shumë siguri aty se te komatoza ku PD aktuale e ka futur vibrimin opozitar në Shqipëri.

Ngjarjen e ndodhur sot nuk mund ta shmangësh, nuk mund ta shpërfillësh, nuk mund ta fshehësh, dhe as mund ta shpallesh non grata. Mund t’i bësh të gjitha këto, në fund të fundit. Me barrën e rëndë të të dukurit budalla. Ose rakordohesh me të. 

Të fundit