Flash News

KRYESORE

Pamje të trishta! Qytetarët në pritje prej ditësh për të kaluar kufirin, autoritetet përdorin si "armë" mbrojtëse ndaj kaosit COVID-in

Pamje të trishta! Kjo është panorama që na ofronte sot Kakavija. Njerëz të rraskapitur nga pritja e madhe për ditë me radhë që të kalonin në tokën greke.

Kaosi i krijuar për shkak të urdhrit të qeverisë greke që të gjithë personat që hynin të kryenin tamponin, si dhe mbylljes së sporteleve pas orës 22:00, kanë bërë që fëmijë, gra, burra e pleq, që qëndrojnë gjithë ditën në kushte të vështira atmosferike, me temperaturat e larta, mungesën e ujit dhe higjenës.

Radhët e makinave që presin për të kaluar, sikurse shihet edhe nga pamjet, vijonte për rreth 20 kilometra, deri në fshatin Jorgucat.

Këto pamje tregojnë qartë sfidën sfilitëse të shqiptarëve për të shkuar në Greqi, ku jetojnë dhe punojnë. Aq sa një pjesë prej tyre duke shprehur pakënaqësinë, zotoheshin “të mos shkelinin më me këmbë Shqipërinë!”

Në një prononcim për mediat pas vizitës së saj dhe ‘inspektimit’ të situatës në Kakavijë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u shpreh se: “Kjo nuk ka lidhje me atë çfarë bëjmë ne pasi kjo është një situatë e krijuar nga nguti i udhëtarëve. Nuk është një situatë e krijuar nga qeveria. Rruga në kthim është e hapur dhe kushdo që nuk e përballon dot këtë situatë të kthehet. Kush nuk ka urgjencën për të udhëtuar brenda këtyre datave edhe duke pasur parasysh që është sezon turistik dhe jo muaj të ngutshme për punë do të ishte e udhës të mos udhëtonin duke mos bllokuar në zgjatjen e  radhëve".

Megjithatë një panoramë e tillë, nuk është diçka me të cilën emigrantët përballen për herë të parë në pikën kufitare të Kakavijës, si pasojë e masave të marra për shkak të pandemisë.

Ndoshta jo në këto përmasa, por vit pas viti për shkak të neglizhencës së autoriteteve, qoftë kjo palës shqiptare apo greke, e numrit të kufizuar të sporteleve në punë, ndodh që qytetarëve që kanë ardhur për disa ditë të relaksohen në Shqipëri, u duhet presin në pikun e vapës për të kaluar drejt tokës greke.

Pandemia ndoshta "e shtrëngoi" pak më tepër "lakun" mbytës që ka qenë aty prej kohësh.

Të fundit