Flash News

KRYESORE

Paradoksi: Shqipëria merr presidencën e 2020-ës, qeveria kërkon miratimin e paketës anti-shpifje të kundërshtuar nga OSBE

Paradoksi: Shqipëria merr presidencën e 2020-ës, qeveria

Ndërsa Shqipëria ka marrë kryesimin e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë) për vitin 2020, qeveria shqiptare insiston të miratojë në parlament një projektligj që është kundërshtuar pikërisht nga zyra e OSBE në Vjenë.

Ky paradoks është vënë re prej ditësh kur përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir, i rekomandoi autoriteteve shqiptare të bëjnë ndryshime të tjera në projektligjin për Mediat audiovizive dhe atë për Komunikimet elektronike, të cilat janë në fazën e shqyrtimit në parlament.

Sipas Desir duhet që të qartësohen masat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të shmanget çdo rrezik për kufizime apo sanksione të padrejta për ofruesit e mediave elektronike.

Pas prezantimit të dy projektligjeve që qeveria i propozoi Kuvendit si “Paketa Antishpifje” ka pasur reagime të shumta kundërshtuese nga shoqata vendase e të huaja dhe institucione ndërkombëtare.

Shtatë organizata ndërkombëtare të gazetarëve ju drejtuan me një thirrje parlamentit që të mos i miratojë këto projektligje.

Kujtojmë se respektimi i lirisë së shtypit dhe medias është një nga prioritetet e OSBE-së të cilën Shqipëria do ta kryesojë vitin e ardhshëm.

Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore dhe zgjedhjet e ndershme.

Këto projektligje është parashikuar të kalojnë në seancën plenare për miratim më 19 dhjetor.

Të fundit