Flash News

OP-ED

Pyetje 'policësh': Sa socialistë duhen për 'të montuar' një ekspertizë?

Pyetje 'policësh': Sa socialistë duhen për

Alfred Lela

Vonesa, pritja dhe ardhja, më në fund, e ekspertizës së përgjimit të mbiquajtur 'Dëshmitari X' prej opozitës dhe 'Babalja' prej qeverisë, një material audio i cili pretendohet se përmban zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj nuk ka sqaruar asgjë, nuk ka pushuar asgjë, nuk i ka dhënë fund asgjëje.

Tashmë kemi disa ekspertiza dhe për to mund të thuhet: O Zot sa shumë që kemi! Ekspertizat nuk janë si pjata e makaronave në një menu restoranti prej të cilave mund të zgjedhësh shijen tënde: amatriçana, karbonara etj. Ekspertiza do duhej të ishte një akt final, përmbyllës dhe sqarues i një paqartësie publike, ligjore dhe, në rastin tonë, politike.

Nuk ka ndodhur kështu, ekspertizat kanë ardhur, jo një por dy; njëra nga britanikët dhe tjetra nga Prokuroria shqiptare, pa përmendur këtu një 'verdikt' të fillimit të kryer incognito dhe in private nga kryeministri Rama dy ditë pas publikimit të audiopërgjimit në Tiranë në ndërkohën kur ndodhej jashtë vendit.

Me vend është të vërehet dhe të thuhet se varianti i Prokurorisë shqiptare përputhet me përfundimet  e parathëna  të kryeministrit Rama. Kjo flet shumë, si për pushtetin ekzektiv, kryeministrin rama, ashtu dhe për atë gjyqësor, organin e akuzës, dhe për (mos)ndarjen e tyre, siç është tradita, praktika dhe teorika e demokracive parlamentare funksionale.

Varianti britanik i ekspertizës nuk e konfirmon as Ramën dhe as Prokurorinë, dhe ky është lajmi kryesor në këtë shteg të ri ku ka hyrë meseleja tashmë e kahershme e audiopërgjimit të "Babales". Ka edhe një lajm tjetër, që duket se përforcon identikitin e të parit: një përgjim i dytë, kësaj radhe i dëshmitarit të Prokurorisë, i cili i ka shërbyer akuzës për të hedhur poshtë 'zërin' e Xhafajt,  që pohon se dëshmia është bërë nën ndikimin e trysnive dhe ofertave financiare nga eksponentë të mazhorancës dhe të Policisë së Shtetit.

Kjo e anulon dyfish certifikimin që Prokuroria i ka bërë audiopërgjimit dhe i thotë ndal 'dasmës' së mazhorancës ku martohej varianti paraprak i Kryeministrit me përfundimet (me sa duket të gabuara) të Prokurorisë.

Tani kemi dy përgjime, njëri audio dhe tjetri video, dhe të dyja e mbështesin dhe e kundërshtojnë sho-shoqin në të njëjtën kohë. Megjithatë dhe pavarësisht paqartësive dhe zhurmës së re që krijojnë të dyja materialet së bashku, ato i bëjnë një atentat shumicës qeverisëse. E cila si kundërpërgjigje ka hedhur në media tezën e strukturave paralele, që komandohen nga opozita dhe kanë si synim rrëzimin me 'fake neës' dhe 'fake scandals' të qeverisë. Një tezë e tillë është kopjuar nga peizazhi politik amerikan dhe saktësisht nga Presidenti Trump, i cili për z. Rama, sponsorizuesin e kësaj ideje në Tiranë, ishte 'turpi i qytetërimit'. Shefi i Shtëpisë së Bardhë flet për 'deep state' (shtetin e thellë/ të infiltruar/ paralel) kur i referohet opozitës Demokrate në Amerikë. Është një tezë që shkon mirë te votuesi i thjeshtë, i cili vazhdimisht është në kërkim të një shpjegimit të botës dhe zhurmës dalldisëse të mbingopjes informative me anë të konspiracioneve.

Imagjinarja  e këtushme e mazhorancës e ka se skandalet e deputetëve, policëve, drejtorëve, etj., nuk ekzistojnë; ato janë fabrikime të kundërshtarit politik. Në një kuptim, është mirë që socialistët e pranojnë se Bashës 'i ka dalë gjumi' emblematik ku e vë shpesh propaganda e tyre diversive. Gjithsesi, ky nuk është shpjegimi, por vetëm një prej formave që shumica, e bllokuar ne menaxhim skandalesh përkundër detyrës së saj, që është qeverisja, ka menduar si 'exit strategy'.

Sa i takon ekspertizës për audiopërgjimin, ajo ka ardhur në fakt dhe shumë shpejt madje. E ka sjellë, për të gjithë ata që kanë dashur ta shohin, rrjedha e ngjarjeve dhe një fakt kryeneç: Paraqitja në Prokurori e Agron Xhafajt dhe përcjellja e tij, në mënyrë misterioze dhe klandestine drejt Italisë, ku ai po i nënshtrohet një dënimi me burg. Për të cilin eksponentët e mazhorancës bënin be e rrufe se nuk ekzistonte, ishte shlyer, e me radhë.

Fakti se Agron Xhafaj kur duhej të ishte në Itali për të shlyer një dënim, fshihej në Shqipëri, dhe kur duhej të ishte në Shqipëri që të mund të sqaronte një akuzë, shkoi të fshihej në Itali, është ekspertiza e vërtetë e ngjarjes që tashmë ka disa të tilla.

Asnjëra konkluduese.

Të fundit