Flash News

KRYESORE

Serbia po shkatërrohet. Kosova, me vendosjen e taksës, për herë të parë ka inisiativën

Serbia po shkatërrohet. Kosova, me vendosjen e taksës, për

Intervistoi: Nedim Sejdinoviç/Autonomia.rs

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një bisedë për portalin „Autonomija.info“ nënvizon se Perëndimi po fillon ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, ose më mirë të themi se po i vjen fundi mbështetjes politike për Aleksandër Vuçiçin, i cili „nuk ka përmbushuar asnjë premtim“.

Biserko nënvizon se për herë të parë Kosova ka iniciativën, që e ka fituar nëpërmjet vendosjes së taksave për mallrat serbe. Ajo mendon se bëhet fjalë për përgjigje ndaj „të gjithë poshtërimeve që i vinë Kosovës nga Beogradi, pengimin të antarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, por edhe të njohjes së mëtejshme të Kosovës si shtet i pavarur“.

Autonomia: A paralajmërojnë ndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Serbisë vlerësimet gjithnjë e më negative politike që i bëhen Aleksandër Vuçiçit nga ana e BE-së, por edhe e institucioneve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare?

 S.B. BE-ja dhe institucionet e tjera të bashkësisë ndërkombëtare pritën që Serbia dhe Presidenti Vuçiç do të jenë të aftë të realizojnë disa prej kërkesave siç është, përshembull, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Për këtë nuk reaguan në kohë ndaj shembjes së shpejtë të situatës në Serbi. Kësaj pune tani i ka ardhur fundi, sepse, sikurse pritej, Vuçiçi nuk përmbushi asnjë premtim. Ia filloi me ndarjen e Kosovës, ose më mirë të themi me një synim që Serbia kishte kohë që e kishte hedhur në tavolinë. Kjo në njëfarë mënyre edhe nuk është orientimi i tij personal, por edhe synimi i politikës shtetërore të Serbisë. Në këtë kënvdvështrim të gjitha qeveritë janë sjellë në të njëjtën mënyrë.

Për shkak të situatës në BE, ka ardhur puna deri te njëfarë interegnjumi që përmbush hamendësime të ndryshme, por edhe aspirata për të cilat punohet pas kulisave. Derisa situata në BE të mos stabilizohet, problemi i zgjerimit të saj drejt Ballkanit Perëndimor do të qëndrojë në frigorifer, gjë që nuk do të thotë se Ballkani do të braktiset. Pas gjithë këtyre ngjarjeve në Serbi dhe sjelljes së elitave të saj politike, Perëndimi është në fazën e ideimit të një qëndrimi të ri ndaj Serbisë.

Sikurse thatë, pas shtatë vitesh nuk kemi bërë mjaft përpara në problemin e zgjidhjes së problemit kosovar. Lajmet më të reja nuk ndjellin asgjë të mirë. A ka ndonjëfarë shprese se situata do të ndryshojë?

 S.B. Problemi i Kosovës tani për tani është i ngrirë, ose përbën një status kuo. Por ndërkohë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës po përkeqësohen. Kosova, për herë të parë, ka iniciativën nëpërmjet taksave që ka vënë ndaj mallrave serbe. Kjo është në njëfarë mënyre edhe përgjigje e për të gjitha poshtërimet që i bëhen Kosovës nga ana e Beogradit, pengimit të antarësimit në organizatat ndërkombëtare, por edhe njohjes së mëtejshme të Kosovës si shtet i pavarur. Të gjitha këto kanë shkaktuar tensionime. Por, Serbia nuk hoqi dorë nga ndarja. Pasiqë ndarja u eleminua nga rendi i ditës (para së gjithash për shkak të oponencës së Gjermanisë, por edhe Britanisë së Madhe), Presidenti Vuçiç iu drejtua Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe, dhe pastaj parlamentit. Në ekspozenë e tij ai e përcaktoi saktë problemin, por edhe më tej nuk heq dorë nga ndarja. Ai llogarit ndryshimin e qëndrimit nga ana e administratës së Trampit, por gjithsesi kjo është diçka e panjohur, sepse idesë së ndarjes i kundërvihen një sërë ekspertësh për Ballkanin, të cilët janë të vetëdijshëm se çfarë do të thotë për Ballkanin fragmentimi i mëtejshëm etnik.

Konsolidimi i BE-së dhe zgjedhja e liderëve të saj kanë një domethënie të madhe për Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë edhe Kosova edhe Serbia, ose më mirë të themi edhe Thaçi edhe Vuçiçi, pohojnë se nuk ka zgjidhje pa pjesëmarrjen e SHBA-ve. Natyrisht, Serbia mendon se edhe Rusia do të duhej të ishte pjesë e zgjidhjes së çështjes kosovare. Duke u mbështetur në këta dy aktorë, Serbia në thelb humbet nga fushëpamja edhe faktin se ku gjendet përkatësia e saj natyrore- në mjedisin rrethues dhe në BE. Duhet patur parasysh fakti se Serbia i kundërvihet ndryshimeve dhe reformave, se ndan vlerat konservatore, se është jotolerante, se nacionalizmi është ideologjia dominuese dhe se ende është pa një alternativë të vërtetë. Gjithnjë e më shumë mbështetet te regjimet joliberale të BE-së, siç është Grupi i Vishegradit, duke shpresuar se nëpërmjet tyre do të fitojë mbështetje e cila do ta ndajë atë më vete nga konteksti ballkanik. Por duket se kjo është një strategji dritëshkurtër e cila nuk ka shanse për sukses.

Kanë kaluar shtatë vite qëkur Partia Përparimtare Serbe e presidentit Vuçiç është në pushtet. Si do të vlerësonit këtë periudhë në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm?

 S.B. Reformat dhe demokratizimi nuk janë prioritet i këtij pushteti. Serbia nuk ka as politikë të jashtme dhe as të brendshme e cila të tregojë në cilën rrugë po ecën. Deri tani nuk është shpallur asnjë strategji kombëtare para parlamentit. Janë shkatërruar të gjitha institucionet (proces në vazhdim e sipër), por edhe të gjitha organet e pavarura rregullatore. Skena mediatike është më keq se në kohën e Millosheviçit dhe, nëpërmjet saj, formatohen idetë për çështjet më të rëndësishme. Serbia ndërkohë është vetëizoluar deri në atë masë saqë nuk është më në gjendje për të komunikuar me botën e jashtme. Ministria e Punëve të Jashtme është shndërruar në një grup këngëtarësh, jo kompetentë dhe pa vizion. Dhe mbi të gjitha joprofesionale. Serbia është primitivizuar, ajo është shoqëri e braktisur nga e cila largohen përditë e më shumë ata që munden.

A konstatohet në Serbi ndonjë alternativë ndaj regjimit të Vuçiçit? Dhe, në përgjithësi, si është e mundur të ndryshohet kjo klasë drejtuese i cili mban fort në dorë të gjitha levat e pushtetit, përfshirë edhe, siç e thatë edhe vetë, mediat dhe institucionet që do të duhej të ishin të pavarura?

 S.B. Për fat të keq nuk ka një alternativë në horizont, gjë që nuk do të thotë se pakënaqësia e qytetarëve nuk do të rritet. Nuk dihet se në cilin drejtim mund të ecë kjo pakënaqësi. Për fat të keq, si regjimi ashtu edhe opozita, janë ngatërruar keqaz në nacionalizëm me të cilin homogjenizojnë kombin kundër rajonit, kundër botës, kundër përballjes me alternativa, kundër shtetit të së drejtës...Korrupsioni mbretëron më shumë se kurrë më parë. Gjithçka është kthyer në vitet nëntëdhjetë, elitat inkurajohen përsëri që të vazhdojnë me aspiratat e tyre në rajon, gjë të cilën e dëshmon aktiviteti i Serbisë në të gjithë vendet fqinjë. Nuk është hequr dorë nga Republika Srpska, as nga Mali i Zi, të cilat tashmë trajtohen si çështje e brendshme. Raporti i Kishës Ortodokse Serbe ndaj Malit të Zi është në thelb mohim i Malit të Zi dhe kombit malazez. Kjo i shqetëson të huajt dhe i detyron ata të mendojnë për Serbinë në një perspektivë afatgjatë. Në thelb, regjimi aktual e ka zhveshur deri në fund Serbinë, dhe e ka detyruar botën të ketë një shikim tjetër për të. Largimi i këtij pushteti, kur të vijë koha për këtë punë, do te jetë i vështirë dhe aspak i butë. I kanë të gjitha mekanzimat represivë nën kontroll, mediat, grupet djathtiste ektreme, mbështetjen nga Rusia për një sjellje të tillë. Por mbi të gjithë Serbia po shkatërrohet. Problemi i saj më i madh është shkatërrimi moral dhe paaaftësia për t'u përballur me vetveten.

Megjithëse zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, sipas shumë analistëve, e kanë ndaluar, sëpaku pjesërisht, rritjen e së djathtës ekstreme, gjithsesi nuk vihet në dyshim fuqia e këtyre partive. Zgjedhjet në Danimarkë treguan një rregull shqetësues, „dominuan“ majtistët të cilët bëjnë një politikë antimigracion. Si i komentoni këto prirje?

S.B. Është normale që BE-ja të kalojë një kohë turbulence, sepse në rendin e saj të ditës gjenden reformat serioze që ka para. Janë në diskutim gjithashtu dy koncepte- joliberale dhe liberale, pra integrimi ose kthimi në shtetin sovran. Koncepti joliberal mbështet nga SHBA dhe Rusia. Për këtë tashmë dihet mjaft, mbi kanalet e financimit të grupeve djathtiste, Brexit-in dhe gjithë atë që deklarohen kundër BE-së, duke e konsideruar si një projekt të pasuksesshëm europian.

Zgjedhjet europiane treguan gjithashtu se ekzistojnë forca të reja që me këtë rast dolën në sipërfaqe- liberalët dhe të gjelbërit. Humbën terren partitë tradicionale që për vite me radhë ruajtën status-kuo-në. Kjo nuk është më e mundur, sepse para BE-së si dhe para gjithë botës, gjenden sfida të reja, probleme të reja për të cilët ende nuk ka përgjigje.

Është fakt gjithashtu se bota po ecën buzë një humnere të rrezikshme, gjë që me një mungesë vëmendje mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Janë të nevojshme elita të reja, liderë të rinj që do të ecin me kurajo drejt pozicioneve më të sigurta dhe të ndërmarrin në sy rrezikun, gjë pa të cilën nuk mund të ketë zgjidhje.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit