Flash News

KRYESORE

Sfidat e reja të Mateo Salvinit në Itali

Sfidat e reja të Mateo Salvinit në Itali

Planet e politikanit populist italian të ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, për t'u bërë kryeministër dështuan. Mbështetja e tij në sondazhe ka rënë që kur ai shkaktoi një krizë politike artificiale, me shpresën se mund të sillte zgjedhje të parakohshme, që do t’i jepnin “pushtet të plotë”.

Salvini nuk e kishte marrë me mend që kryeministri në largim Giuseppe Conte do të bëhej rivali i tij i befasishëm. As që partnerët e tij të një koalicioni qeveritar jetëshkurtër dhe të trazuar, lëvizja anti-konformiste Pesë Yjet, do të arrinin një marrëveshje me Partinë Demokrate të krahut të majtë dhe do të binin dakord për një koalicion këtë javë me Conte-n si kryeministër të ri.

Ndërsa kabineti i ri me shtatë ministre femra dhe 11 ministra meshkuj bëri betimin, Salvini, kreu i Partisë Lega, tha se forcat e errëta ishin pas formimit të qeverisë së re. Ai argumentoi se "fuqi të forta" brenda Evropës ishin pas koalicionit të ri.

kreu i Lega-s e bëri të qartë se do të rezistojë dhe shtoi se ata që kanë frikë nga zgjedhjet, mund t'i shpëtojnë një votimi për "tre ose gjashtë muaj", por në fund do të duhet të përballen me një parti Lega që është e gatshme t'i ofrojë Italisë një qeveri "të fortë dhe koherente" dhe jo një të manipuluar nga elitat apo qeveritë e huaja.

Duhet thënë se koalicioni PD – Pesë Yjet nuk është natyral dhe ka paqartësi se sa kohë mund të qëndrojë në qetësi.

Një koalicion mes tyre, rrezikon të jetë një aleancë tjetër e pazakontë e paralizuar nga mosmarrëveshjet e brendshme, paralajmërojnë analistët.

Por ideja për të parë se çfarë po bën zoti Salvini po e humb interesin. Nxitja e krizës nga ana e tij që çoi në përjashtimin e tij nga korridoret e pushtetit ishte një gabim strategjik.

Ambicia dhe pompoziteti, e bënë atë të humbte fokus.

Zoti Salvini përballet edhe me një rrezik tjetër. Prokurorët milanezë që dyshojnë se partia Lega kërkoi fonde të fshehta ruse, kanë të ngjarë të dyfishojë përpjekjet e tyre hetimore. Zoti Salvini i shpërfilli akuzat kur ato u shfaqën në fillim të këtij viti.

Sfidat e tjera ligjore mund ta dëmtojnë liderin e Legës.

Të enjten Salvini u vu nën hetim nga prokurorët në Romë me dyshimin e shpifjes për Carola Rackete, kapitenia gjermane e anijes së shpëtimit të Sea-Ëatch 3, e cili theu një bllokim detar të imponuar nga Salvini për të çuar në tokë imigrantë të shpëtuar. Hetimi pason një ankesë të paraqitur nga Rackete në korrik në të cilën kapitenia e anijes pretendoi se Salvini shpifi ndaj saj dhe kërkoi të ngjallte urrejtje ndaj saj.

Të fundit