Shembja e Teatrit, shenjë se jetojmë në kohën e Tërbimit të Madh

nga Rubens SHIMA* 

E diel, 17 maj, ora 04:37, nis operacioni për shembjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar.12 orë më pas përfundon shembja tërësore e dy godinave: Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental. Në operacion morën pjesë rreth 1000 forca policore. Policia e Rendit – Komisariatet e Tiranës Nr.1, Nr.3; Njësia “Shqiponjat”, FNSH (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë) të Shkodrës dhe Tiranës; Forcat Speciale Renea; Polica Bashkiake.

Godina e Teatrit Kombëtar nuk është ndërtesa e parë historike që kemi shkatërruar, nuk do të jetë as e fundit. Por, ajo ishte pika kulmore e valës rrënuese, shkatërrimtare, kryer këto vitet e fundit ndaj pëlhurës endformuese, shekullore të qytetit. Valë që copëtoi me brutalitet realitetin e ekzistencës së të parëve tanë, epokat arkitektonike dhe kulturore të materializuara, në ndërtesa, sheshe, lulishte, rrugë si përkthime idesh dhe vullnete kohërash.

Një klikë banale në pushtet, e babëzitur për para, si një duhmë e keqe po shkreton qytetin nga çdo vlerë e tij, duke grabitur të shkuarën, njëherazi edhe të ardhmen tonë.

Konsensusi mafioz dhe pesha e parave të sapoamnistuara iu lëshuan mbi shpinë ndërtesës së Teatrit Kombëtar, e rrëzuan përdhe bashkë me vitet dhe historinë e tij. E prishën me ruspa, fadroma dhe kordonë policie gjithfarësh. Ishin gati ta shembnin edhe vetë me duar e me thonj…

Padurimi për ta shkatërruar lidhej me nevojën e ethshme për t’i gllabëruar tokën, e cila duhet të ishte në pronësi të vetë Teatrit, por që në mënyrë korruptive iu dhurua Bashkisë nëpërmjet makinacionesh mafioze, ekstraligjore.

Shkatërrimi i nisur nuk do të përfundojë derisa sheshi i krijuar në zonën e mbrojtur të zbrazet plotësisht nga çdo ndërtim i vjetër mbi të. Më pas, një seksion kullash do të zërë vend si një trup monstruoz i një kafshe të stërmadhe në sfondin mbi bulevard. Qendra historike e qytetit, aktualisht e zhveshur nga çdo element kontekstualiteti, do të përpihet dhe tretet në trupin e përbindëshit prej betoni.

Si rregull, godinat ekzistojnë ose sepse janë ndërtuar së fundmi, ose sepse kanë cilësi (arkitekturore, artistike, historike, kulturore…), që i kanë bërë të pamundura të shkatërrohen në të kaluarën. Shqipëria duket se është rast përjashtues nga ky rregull. Regjistri historik i kronikave të lëna në tekste, dokumente, celuloide, stampa, pelikula në variacione monokromatike – dramatikisht të ftohta, dramatikisht të ngrohta, rrëfejnë shembjet sistematike të ndërtesave, blloqeve apo rrugëve të qyteteve përgjatë kohërave. Asgjë të pamundur nuk ka për këtë popull, kur vjen fjala për shkatërrim dhe rrafshim.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, me frymëzim apo detyrim – vështirë ta përcaktosh,- shqiptarët trushpëlarë nga indoktrinimi revolucionar i ‘jetës se re’, ‘njeriut të ri’, ‘Shqipërisë ateiste’, por edhe predispozitës së tyre historike, thirrjes për shkatërrimin e së vjetrës, iu përgjigjën me kazmë dhe dinamit.

“Revolucionet janë lokomotiva e historisë”, – Karl Marks.

E kuptuar për së prapthi, e futur në thonjëza, ky citat u kthye në britmë politike për banorët e një vendi, që nuk kish parë ndonjëherë as lokomotiva, as hekurudha, deri në vitet 1960. Shqiptarët, 70% e të cilëve ishin dhe janë ende popullatë fshatare (e shpërngulur sot nëpër qytete), përveshën llërat dhe në pak kohë bënë tabula rasa gjithë dëshmitë historike dhe elementet e qytetërimeve të ndryshme, që një herë e një kohë kishin bashkekzistuar në këtë vend. Likuiduam me shpejtësi shtresat kulturore shenjëformuese: veneciane, otomane, dëshmitë e arkitekturës shqiptaro– islame të shek. XIX, arketipin e noveçento-s italiane dhe së fundmi po eliminojnë pjesëpjesë edhe racionalizmin utopik të periudhës fashiste.

“Arkitektura është vullneti i një epoke, i përkthyer në hapësirë”, – Mies van de Rohe.

Sot, Tirana është një qytet që jeton vetëm një kohë, të tashmen. Pa gjurmë epokash paraardhëse, e shkuara e saj nuk ekziston më. Arkitektura e qendrës së Tiranës këto vitet e fundit, e propaganduar nga kryearkitekti Edi Rama si modernitet apo zhvillim, është më tepër një teatër pushteti, kundër një imazhi të tmerrshëm dhe të patolerueshëm: atë të Shqipërisë si vendi më i korruptuar, mbytur në borxhe, kërcënuar nga varfëria dhe injoranca, i shpopulluar nga mungesa e shpresës dhe besimit te kasta e korruptuar politike.

Në diktaturë ‘e vjetra shembet’ në emër të revolucionit, përparimit, progresit teknologjik dhe nevojës së udhëheqësit të popullit, për të lënë gjurmën si kafsha urinën në territorin e tij. Sot, ‘e vjetra shembet’ në emër të parasë, përfitimit dhe psikozës neurotike të Kryeministrit, në mohimin e së vjetrës dhe krijimit të një realiteti të ri, bashkëkohor vulgar, fallocentrik, efekt i majmunërisë së vendeve në zhvillim, nëpërmjet (jo) arkitekturës së spektaklit dhe kitschit.

Tirana sot është kthyer në një qytetet të ri, një surrogate postglobale, pa të shkuar, pa histori, që krijon dhe nxit oreksin mafioz të ndërtimit, sesa zgjidh problemet e njerëzve që jetojnë në të. Në kontrast me fytyrën e re neveritëse prej alucoboni, xhami dhe duralumini, shtrihet Tirana e shpërfillur, e lënë pas dore, që vuan prej dekadash fashat orare të furnizimit me ujë, mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza – investimet e fundit datojnë që nga koha e pushtimit italian.

Para pak javësh, veç Teatrit Kombëtar, dy nga shenjat e fundit dalluese të këtij qyteti, dikur edhe otoman, u rrafshuan. Dy banesa qytetare orientale të shek. XIX, që ndodheshin në rrugën “Tefta Tashko Koço” u shkatërruan, u zhdukën përgjithmonë nga silueta e këtij qyteti, që dikur plot kapardisje dominonin.

U zhdukën me firmën e një ish-ministreje, e cila sot, e patrazuar në ndërgjegjen e saj, tregon përralla me ujq dhe dhelpra, fëmijëve, nga adresa e “Facebook”-ut të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, antifashistit të fundit, që priu betejën me godinën e Teatrit Kombëtar.

Ishin monumente kulture të kategorisë së parë, të shpallura që prej vitit 1987. U qëndruan kohëve, regjimeve, ideologjive, revolucioneve, ishin më këmbë para se Shqipëria të ishte politikisht Shqipëri, para se Shqipëria të ishte e pavarur. Qëndruan për afro dy shekuj dëshmitare stoike dhe plot histori të ngjarjeve të trazuara të këtij qyteti.

Brenda pak vitesh, konsensusi mafioz mes politikanëve dhe biznesit të ndërtimit që komandon dhe gllabëron gjithçka, me ndihmën e pakursyer të Institutit të turpshëm të Monumenteve të Kulturës, ia dolën të asgjësonin plotësisht shtresën më të hershme të kryeqytetit: arkitekturën shqiptaro–islame, dëshmitë dhe elementet e këtij qytetërimi. E shkatërruam para se ta njihnim – them e shkatërruam, pasi të gjithë jemi përgjegjës me indiferencën tonë; për brezat që do të vijnë do të mbesë një vend bosh në hartën e dijes dhe formimit të këtij qyteti.

Vitet e fundit janë nxjerrë nga lista e mbrojtur e Institutit të Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës dhjetëra e dhjetëra vila dhe shtëpi banimi, të ndërtuara kryesisht në vitet 1920–1940. Pas asaj osmane, kjo është shtresa e dytë kulturore shënjuese e kryeqytetit, e cila po likuidohet në shkallë të gjerë dhe ritëm të pandërprerë. Dikur, Tirana ishte kopshti i Mbretërisë shqiptare dhe këto ndërtime ishin kuintesenca e saj e stërholluar.

Sot, ato, me pak përjashtime, pothuajse janë prishur tërësisht. Ato pak vilëza ende të mbetura në Tiranë janë objektet më të rrezikuara në qytet, pasi ndodhen përgjithësisht brenda zonës së aspiratës mafioze të biznesit të ndërtimit.

Rrugë dhe rrugica të njohura për arkitekturën e tyre mbresëlënëse, sjell në vëmendje vetëm rastin e rrugës “Asim Zeneli”, nuk ekzistojnë më. Atmosfera kulturore që përcillnin, frymëzimet e druajtura arkitektonike që shfaqnin, u fshinë nga peizazhi i qytetit. Historia e pasur e njerëzve, që dikur banonin në to, u çrrënjos. Dhe gjithë kjo llahtarë u krye nga vetë institucionet që shqiptarët e varfër paguajnë për t’i mbrojtur: Instituti i Monumenteve, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës. Një ndër to ishte edhe vila e Kryeministrit shqiptar, Mehdi Frashëri. E shembën në të njëjtën kohë, teksa në anën tjetër të qytetit rivarrosnin me ceremoni zyrtare, fjalime pikëlluese dhe dyfaqësinë tipike shqiptare, Mid’hat Frashërin.

IDENTITET I RI

Sot, Kryeministri, me ornamentikën e tij, parlamentarë, ndërtues, kryetarë bashkish, intelektualë liste, artistë peticionesh, starkitektë ndërkombëtarë, që ndihmojnë kastën e korruptuar të Tiranës të fitojë edhe ndonjë çmim anësor ndërkombëtar, si meritë për urbicidin që po kryen në kryeqytet, po asgjësojnë gjithçka, që ka mbetur nga Tirana e vjetër. Godinat e vjetra po shemben masivisht dhe po zëvendësohen me pallate dhe kulla të larta betoni, veshur me alucobond gjithfarëngjyrësh, stilema të mizerabilitetit estetik të ‘rilindjes urbane’ dhe folklorizmit vulgar. Një lloj arkitekture e re – ‘arkitektura rilindase’, ka filluar të shfaqet në horizont. Ndërtesa me emblema dhe simbole kombëtare po ngrihen ngado, me ngut mbi themelet e qytetit të vjetër.

Ta marrë vesh bota mbarë se këtu jetojnë shqiptarë!

Godina-monstër e stadiumit të ri, e ngritur mbi stadiumin e vjetër, vepër e humbur e Gherardo Bosio-s, u vesh me elementë të parafabrikuar alumini, ngjyer kuq e zi, si flamuri kombëtar, prolog i arkitekturës së re të pushtetit.

Nuk ka flamur aq të madh sa të mbulojë turpin e shkatërrimit të një qyteti.

“Patriotizmi është virtyti i të ligut”, thoshte Oscar Wilde.

Mbi parkun e dikurshëm të fëmijëve te Rruga e Elbasanit, një përbindësh betoni 30-katësh lartësohet. Monstra e stërmadhe me hartën e Shqipërisë mbi trup, zmadhohet si një transoqeanik i ankoruar në qytet. Nuk ndahet në pjesë, nuk riprodhohet, nuk merr pjesë në përjetësim, në vazhdimësi, në përmirësimin e natyrshëm të qytetit. Është një tërësi, një ndërhyrje e dhunshme, një ndërprerje radikale në kurbën gjenealogjike të qytetit, një horizont vdekjeje. Banorët përreth janë dënuar të jetojnë në hije të përjetshme. Ca me tutje, pas Hotel Tiranës, një tjetër përbindësh betoni me përkrenaren e Skënderbeut në fasade do të ngrihet. Ca vila të vjetra të viteve ‘20 u likuiduan me shpejtësi nga forcat e Bashkisë, natën, pa zhurmë.

As stil dhe as plotësim stilesh, këto shëmtira masive arkitektonike janë një stil në jo-stil, si jo-stil, një jo-arkitekturë në arkitekturë; një arkitekturë dhune dhe shëmtie që këput dhe vret lidhjet me historinë, mjedisin, qytetin, njerëzit.

Ndërsa peizazhi arkitektonik brutalisht vazhdon të ndryshojë përreth nesh, pa ndalur, që nga fillimi i shek. XX, qytetet janë zhbërë disa herë, duke humbur njëra pas tjetrës shtresat kulturore dalluese të tyre. Por, pavarësisht kësaj distopie shoqërore dhe politike – që nuk do ta teproja aspak, në rast se do ta quaja një psikopatologji kombëtare e trashëgueshme – përsëri është e rëndësishme të njohim të kaluarën tonë, edhe nëse gjurmët e saj i kemi eliminuar nga bota fizike. Të pavdekshme përmes fotografive, vizatimeve dhe tregimeve, ndërtesat që kemi shkatërruar ekzistojnë tanimë në sferën e njohur si ‘arkitektura e humbur’. Me to, ndoshta në të ardhmen, fëmijët tanë mund të ndërtojnë jo një, por disa muze të sjelljes arketipale autoktone ndaj qytetit dhe natyrës, në kohën e tërbimit të madh.

*Botuar fillimisht te gazeta ‘Panorama’ me titullin: Konikë nga qyteti i humbur