Shqipëria vendi i fundit në Europë për mirëqenie, asnjë rritje që prej 2012-ës

Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30 për qind e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.

Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me BE-në. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-n (shiko grafikun).

Përmirësime me 3 pikë përqindje bëri edhe Bosnja dhe Mali i Zi. Vetëm Serbia ka shënuar ulje me një pikë përqindje.

Prej vitit 2012, procesi i konvergjencës (që nënkupton një rritje më të shpejtë të Shqipërisë në raport me shtetet europiane në mënyrë që t’i afrohemi gradualisht mesatares së BE-së) jo vetëm ka ngecur, por është përkeqësuar. Deri në vitin 2015 ishim të parafundit, ndërsa në 2016-n Bosnja ka dalë përpara nesh. Shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike, për shkak të ndarjes administrative të dy njësive, ka rritur raportin e të ardhurave ndaj mesatares së BE-së, nga 28% në 2012-n, në 31% në 2016-n, raporton Monitor.

Që prej vitit 2016, në renditjen totale të vendeve të BE-së dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e hartës së përbashkët europiane, Shqipëria është e fundit. Edhe Bosnjë Hercegovina, që ishte e fundit në këtë renditje e ka lënë pas Shqipërinë me 2016.

Shqipëria ka ndërkohë dhe pagën minimale më të ulët në Europë, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe të matur sipas fuqisë blerëse.