Flash News

KRYESORE

Si e raportuan mediat e huaja dorëheqjen e Ramush Haradinajt

Si e raportuan mediat e huaja dorëheqjen e Ramush Haradinajt

Për dorëheqjen nga pozita e kryeministrit të Ramush Haradinajt kanë shkruar edhe mediat e huaja.

Vendimi i tij i papritur dhe arsyeja për të cilën la postin për të dytën herë – ftesa në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale bëri bujë gjithashtu edhe në mediat serbe, njofton Klan Kosova.

“Kryeministri i Kosovës dha dorëheqjen të premten pasi u ftua për t’u marrë në pyetje nga një gjykatë me bazë në Hagë që heton krimet kundër serbëve etnikë gjatë dhe pas luftës së vendit 1998-99. Ramush Haradinaj tha se kishte rënë dakord të intervistohej në Dhomën e Posaçme të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale javën e ardhshme dhe nuk donte të paraqitej atje si kryeministër”, shkruan The New York Times.

“Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të premten se po jep dorëheqje pasi u thirr në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë lidhur me luftën e dhunshme të pavarësisë së Kosovës”, shkruan agjencia e lajmeve Euronews.

Ndërkaq, agjencia e lajmeve Reuters pas lajmit të dhënë për dorëheqjen e kryeministrit kosovar, ka folur edhe me zëdhënësin e prokurorit të Gjykatës Speciale, i cili tha se është i detyruar të mbrojë privatësinë e të ftuarve.

“Rregulli 30 thotë që unë kam një detyrim për të mbrojtur privatësinë e çdo individi. Nuk mund të konfirmoj asgjë."

“Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, një komandant i kohës së luftës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tha të premten se ai ka dhënë dorëheqjen pasi u thirr si i dyshuar përpara gjykatës së krimeve të luftës në Hagë”, shkruan TRT, media turke.

Gazeta serbe Tanjug ka thënë se presidenti Aleksandar Vuçië do të shprehet nesër në lidhje me dorëheqjen e Ramush Haradinajt. Për dorëheqjen e Haradinajt shkroi edhe Deutsche Welle dhe Sputniku rus.

Në raportet e shkruara nga mediat e huaja u fol edhe për thirrjet e mëparshme që Haradinaj ka marrë nga Gjykata e Hagës, por edhe për pafajësinë e tij./Klan Kosova

 

Të fundit