Flash News

KRYESORE

Tatimet zbarkojnë në FSHF, nis ‘lufta e ftohtë’ mes Armand Dukës dhe Erion Braçes

Tatimet zbarkojnë në FSHF, nis ‘lufta e ftohtë’ mes

Me kërkesë të deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve ka zbarkuar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ata kërkojnë listën e të punësuarve dhe të kontraktuarve nga FSHF prej vitit 2010 deri në janar të 2018-ës për të verifikuar tatimin në burim për të ardhurat nga paga, shpërblimet, bonuset për secilin nga viti 2010 deri në janar të vitit 2018.

Në një reagim zyrtarë, federata e quajti të jashtëligjshëm këtë aksion, duke shtuar se do të njoftojë UEFA-n dhe FIFA-n. “FSHF bën me dije se ky informacion është i depozituar në organet tatimore në mënyrë të rregullt dhe në bazë të procedurave dhe ligjeve në fuqi. Në mbyllje të çdo viti pasqyrat financiare auditohen nga një kompani ndërkombëtare auditimi. Këto raporte janë të publikuara për të gjithë. FSHF nuk ka asgjë për të fshehur, në raport me detyrimet ndaj buxhetit, dhe në respekt të ligjeve ne fuqi. Por, FSHF konstaton me keqardhje që kjo kërkesë është e motivuar politikisht dhe në kundërshtim me procedurat normale të kontrollit tatimor”, thuhej ndër të tjera në një komunikatë të federatës.

Ndërsa, Braçe thotë se nëse Duka ka punuar në mënyrë transparente atëherë nuk ka pse të frikësohet, duke argumentuar se kërkesa e tij është e bazuar në ligjet e shtetit shqiptar.

“Kërkesa është thelbësisht e ligjshme, bazuar në Kushtetutën e vendit, rregulloren e Kuvendit, pika ime e referimit si deputet dhe kryetari i komisionit për ekonominë e financat! Pra nuk kam urdhëruar kënd, nuk është ne tagrin tim të urdhëroj, kam kërkuar të disponoj këtë informacion! Mund ta kisha adresuar këtë kërkesë edhe tek ty, direkt, por nuk më intereson ti, më intereson zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe, pa as më të voglin diskutim, më interesojnë të ardhurat në buxhetin e shtetit”, thuhet ndër të tjera në një reagim të Braçes në Facebook.

 

Të fundit