Të gjithë nëpër vendet e tyre!

Alfred Lela

Konfigurimi aktual i skenës politike shqiptare, nëpër të cilin shtrihet gjerë e gjatë kriza, njëfarë ‘apokalipsi sistemik’, detyron edhe një pyetje: A janë aktorët politikë nëpër vendet e tyre? Duke filluar nga kreu i shtetit dhe duke zbritur deri te ‘opozita e re’ që okupon një pjesë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ilir Meta ka qenë, në muajin e fundit, jashtë, jo vetëm profilit të tij si President, por edhe siluetës si politikan, me të cilën jemi mësuar të lëshojë hijen e tij në ngjarjet politike të Shqipërisë së tranzicionit. Një ndryshim i jashtëm i z. Meta, një kalim nga ‘qetësia dhe dashuria’ te ‘vrulli dhe stuhia’; një kalim i dytë, thuajse pornografik nga aversioni për ekspozimin e tepërt te një protagonizëm sanguin në rrjetet sociale, etj., të bëjnë të hamendësosh se imponimi i këtij shndërrimi ka patur shtysa të brendshme. Emocionale. Psiko-politike.

Çfarë e shtyn z. Meta të mos jetë në rolin e vet, në vendin e vet, në katrorin e vet të lojës?

Kryeministri Rama, aktor i dorës së parë në këtë konfigurim, është gjithaq përtej vendit të vet. Paradoksalisht, edhe pse i ka të gjitha, (më në fund!!!), ai mbetet i ekspozuar ndaj disa rreziqeve akute. I pari është ngecja e tij në procesin integrues të Shqipërisë. Nëse në tetor, siç kanë filluar që tani të qarkullojnë zërat në opinionbërjen rajonale dhe europiane, Tirana ndahet nga Shkupi, duke e shpërblyer (më në fund!) Zaevin për Marrëveshjen e Prespës, thika e dështimit do të gjente brinjën më të butë të kryeministrit, për ta kthyer në ‘gangrenë’ politike këtë refuzim, me fuqinë absolute që i jep përsëritja. Nëse elektoralisht kjo nuk do të thotë shumë (nuk fitohen zgjedhjet me integrimin ose mungesën e tij), z. Rama mund të shihet si ‘biri i tersit’ sa i takon përftimeve ekonomike që priten nga integrimi (Shqipëria nuk ka marrë asnjë kokërr euro prej paketave financiare të cilat i kanë vjelë fqinjët me të dyja duart), por edhe nga një ‘bllokadë botërore’ për qeverinë Rama, duke indeksuar këtu mungesën e frikshme të investimeve dhe interesit të huaj për Shqipërinë ekonomike.

Nëse integrimi është abstrakt, ngjyrat e ububusë, ku futen edhe tersi ekonomik (si filxhani i Monikës, fundja) janë platforma frike të cilat funksionojnë elektoralisht.

Kryeministrit i duhet të kthehet në vendin e vet, qoftë edhe duke lëshuar nga pesha dhe pushteti që ka marrë mbi vete: duke shpërndarë bashkë me të edhe ‘marzhin e gabimit’ dhe përqindjen e fajit.

Lulzim Basha, ana tjetër e ‘Skënderbeut të pushtetit’, është jashtë pozicionit të vet në një formë aspak elegante. Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve e kanë futur mes disa zjarresh: amerikanët, flakëhedhësja e të cilëve është më përvëluese se goja e Meduzës; pushteti i Ramës; faktori volatil Meta-Kryemadhi; dhe, së fundi por aspak më pak e rëndësishmja, ‘PD-ja e dytë’ (që janë të gjitha flukset, qofshin të ideve, trashëgimisë ose legjitimimit brenda partisë).

Edhe z. Basha i duhet një valvul shkarkimi. Deri më tash ai ka mbijetuar duke mbjellë episode krizash; ashtu si Odiseu dikur në brigjet e Itakës që, për t’iu shmangur luftës së Trojës filloi të mbillte kripë në rërë duke luajtur të marrin. Derikur, një edhe më ‘i marrë’ se ai, i vuri përpara parmendës Telemakun, të birin.

Cili është Telemaku i Bashës? Këtë ndoshta nuk e di as vetë Basha.

Këto kapërcime të aktorëve, këto vendndodhje të gabuara, këto shajni që ata i bëjnë demokracisë dhe rendit të gjërave, përkthehen në këtë bllokim dhe në këtë krizë.

Të gjithë duhet të shkojnë nëpër vendet e tyre sepse demokracia, e llojit perëndimor, jo improvizimi shqiptar i saj, këtë ka parasysh më së pari: rolin në sistem dhe sistemin e roleve.

Politiko.al