Flash News

KRYESORE

Tirana ra

Tirana ra

Alfred Lela

Me 75 vota në total, thes ku u futën edhe çka mbetur nga PDIU, bashkë me kartonin e deputetit Bitri të ikur nga LSI, mazhoranca e kaloi ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, një godine 80 vjeçare, një nga të paktat e mbetura në kryeqytet nga periudha e parakomunzimit.

Pandeli Majko ka qenë i vetmi socialist që ka patur ndërgjegjen, vetëdijësimin dhe burrërinë që t’i thotë Jo këtij ligji, duke u larguar dhe shmangur një votë që, me sa duket, do ta turpëronte. Mungesa e tij nuk ndryshon asgjë në fuqinë e ligjit, por i jep forcë një disidence ndaj marrëzisë së Edi Ramës dhe marionetave të tij.

Deputeti Eduard Shalsi e paralajmëroi në njëfarë mënyrë vendimin e mazhorancës, pak para votimit, kur i kërkoi ministres së Kulturës, pas shpinës së tij, që ‘të mos lejojë askënd të futet në godinë pasi ajo është e rrezikshme’.

Do të jetë një bijë e përsëritjes rreshtimi i arsyeve se, pse nuk duhej shembur Teatri Kombëtar dhe ai Kombëtar Eksperimental, dy ndërtesa që përbëjnë një kompleks i cili gjatë 80 viteve jetë ka qenë në shërbim të kulturës, asnipse në një pjesë të mirë, asaj të socrealizmit, një rrymë artistike e praktikuar në vendet e ndikuara nga Bashkimi Sovjetik.

Toka ku u themelua ajo njësi e kulturës kombëtare, që do të pagëzohej Rrethi Kulturor Scanderbeg, u ble nga monarkia e Zogut dhe u kthye në tokë publike. 80 vjet më vonë Rama bëri saktësisht të kundërtën: ia hoqi publikut dhe ia dha privatit. Edhe fiksacioni (ngulmimi) i tij me shembjen e kësaj godine është i vjetër tashmë. I nisur që në vitin 1998 kur ai ishte ministër Kulture. Pandeli Majko, asokohe Kryeministër i pati thënë Jo edhe atëherë kësaj ideje.

Ndërtesa që Rama ngulmon, tashmë me anë të një ‘ligji privat’, të shembë është një prej të fundmeve në Tiranë, të asaj që mund të quhet belle époque në kulturën dhe arkitekturën e qytetit, nën frymëzimin dhe ndihmën e shijes italiane.

Komunistët rrafshaun Bashkinë e vjetër, ku sot ngrihet Muzeu Historik dhe Pazarin e vjetër, aty ku sot ngrihet katërkëndëshi i ftohtë i Teatrit të Operas. Tranzicioni, nën vulën e babëzisë, iu dha dërrmën vilave të vjetra të borgjezisë së brishtë tiranase të viteve ‘20-‘40. Tani 28 vjet pas ‘çlirimit’ një tjetër gur i çmuar, i fundit i këtij gjerdani, duket se do të bjerë nën ruspat e PPV-ve.

Këmbëngulja për t’ia zhdukur këtë shtresë identitare qytetit, të themeluar vonë dhe të kthyer në kryeqytet nga politikani i ri, Ahmet Zogu, dëshmon lehtësinë me të cilën jemi gati t’i vëmë kazmën pakogjë tradite që kemi.

Tirana, prej sot, është një qytet me një shenjë të rinisë së vet më pak në portret. Ka mbetur Bulevardi me ministritë, por kush e di se ç’Genghis Khan lëshohet këtyre anëve dhe, kërkon të erektojë në vend të tyre, piramidat e shtërzimeve të veta.

 

Të fundit