Tjetër ‘shuplakë’ për shqiptarët, kompania holandeze ndërpret linjën e fluturimit me Tiranën

Tjetër ‘shuplakë’ nga Holanda për shqiptarët.

Pas qëndrimit skeptik për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE nga qeveria holandeze, kompania ajrore ‘Transavia’ do të ndërpresë linjat e fluturimit me Tiranën.

Transavia do të ndalojë fluturimet direkte javore nga Amsterdami për në Tiranë në prill të vitit 2020. Njoftimi për anulimin e fluturimeve drejt Shqipërisë është komunikuar përmes rrjeteve sociale.

“Ne nuk po fluturojmë më drejt Tiranës që nga prilli i vitit 2020, pjesërisht për shkak të mungesës së entuziazmit dhe interesimit të kufizuar. Ndoshta nëse hidhni një vështrim në faqen tonë të internetit, një tjetër destinacion do t’ju tërheqë vëmendjen”, thuhet në përgjigjen e kompanisë, teksa i komunikon vendimin një klienti në twitter.

Pas lajmit, së fundmi ka nisur edhe një peticion online për të anuluar këtë vendim, si dhe të mundësojë fluturimet nga Roterdami ose nga Eindhoven për të ruajtur fluturimet e drejtpërdrejta me Tiranën.

Pjesë e këtyre thirrjeve është bërë edhe shkrimtarja Flutura Açka, e cila jeton mes Shqipërisë dhe Holandës. Ajo thekson se mbyllja e kësaj linje dëmton rëndë turizmin shqiptar, që ka pësuar rritje të ndjeshme.

Kjo linjë ajrore operonte prej dy vitesh ‘low cost’ dhe gjatë dimrit linja Transavia u shërbente shqiptarëve dy herë në javë, ndërsa gjatë verës tre herë në javë.