U divorcuan pas 34 vitesh, vajza mes lotësh i lutet nënës: Kthehu me babain!

Mbrëmja e sotme e “Dua të të bëj të lumtur” solli emocione të forta, teksa solli për publikun një dramë familjare. Dëshira për të bashkuar prindërit dhe për t’i parë të lumtur me njëri-tjetrin e kishte nxitur Ariolën që në program të ftonte mamanë e saj, Verën.

Pas 34 vitesh martese prindërit e Ariolës, Vera dhe Sulo ishin divorcuar. Shkaqet që i kishin çuar bashkëshortët drejt zgjidhjes së martesës ishin të shumta, por burimi kryesor i konflikteve ishte bërë djali i tyre që luante bixhoz.

Ariola kishte ftuar Verën për t’i kërkuar që ta falte babanë e saj dhe që të riktheheshin sërish bashkë. Kur Vera zbuloi që ishte Ariola, ajo që e kishte dërguar ftesën nuk arriti t’i përmbante lotët.

“Mami unë dua që ne të jemi të tre, që babi të jetë me ne, që ti ta falësh”, – ishin këto fjalët me të cilat Ariola iu drejtua Verës.

Gjithashtu Ariola rrëfeu se e ndjente mungesën e babait dhe se ajo nuk mund t’ia dilte e vetme, që kishte nevojë për mbështetjen dhe dashurinë e tij.

Por Vera rrëfeu një të vërtetë tjetër. Ajo tha që asnjëherë nuk kishte qenë e lumtur, se Suloja e kishte dhunuar shpeshherë si fizikisht por edhe psikologjikisht dhe se këtë gjë Ariola nuk e mbante mend sepse kishte qenë e vogël.

Pavarësisht lutjeve të vazhdueshme të Ariolës, Vera ishte e vendosur që të mos t’i jepte një mundësi të dytë Sulos.