“Unë do të jem kryeministër”, ngërçi që pengoi koalicionin parazgjedhor mes Vetëvendosjes dhe LDK-së

Dje, Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Ky i fundit dorëzoi mandatin pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim, lidhur me akuzën e krimeve të luftës.

Me përjashtim  të disa incidenteve të vogla, procesi zgjedhor ishte i qetë dhe i rregullt. Nga rezultatet e deritanishme, kryeson më shumë vota Vetëvendosja e Albin Kurtit, i pasuar nga LDK dhe më pas PDK.

Mbrëmë vonë, pas mbylljes së procesit të numërimit në pjesën më të madhe të kutive të votimit, Albin Kurti shpalli fitoren, si partia që ka grumbulluar më shumë vota, si dhe i bëri ftesë për koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kandidoi për kryeministre Vjosa Osmanin.

Mirëpo, mes këtyre dy partive ka patur debate në distancë në periudhën e parazgjedhjeve dhe ngërçi mes tyre ishte posti i kryeministrit në rast koalicioni qeveritar.

Dy partitë nuk formuan një koalicion qeveritar për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje, pra nuk ranë dakord se cilin kandidat do të kishin një përfaqësues të përbashkët për postin e shefit të qeverisë, por e lanë të hapur mundësinë pas rezultatit të zgjedhjeve.

LDK-ja këmbëngulte që Vjosa Osmane të jetë kandidate e këtij koalicioni parazgjedhor, kurse LVV për Albin Kurtin.

Megjithatë, pak javë më parë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet, e si rezultat i kësaj, ai do të bëhet kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani e LDK-së do të merrte postin e kryetares së Parlamentit.

As LDK dhe as VV nuk pranuan të tërhiqen nga marrja e kreut të ekzekutivit në rast se fitojnë zgjedhjet, por Albin Kurti i propozoi së fundmi një marrëveshje Isa Mustafës për të kaluar ngërçin.

Përmes një letre dërguar Mustafës, Kurti propozoi që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor.

“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të parathënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota”, propozonte Kurti.

Në bazë të kësaj marrëveshje dhe duke parë shembullin e politikbërjes se deritanishme në Kosovë, ku partitë i kanë respektuar ‘rregullat e lojës’, duket se kryeministri i ri i Kosovës do të jetë Albin Kurti, i cili grumbulloi më shumë vota, kurse Osmani, kryetarja e re e Parlamentit.