Flash News

KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj: Dorëheqja ime u vërtetua që ishte veprim i drejtë

Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj: Dorëheqja ime u vërtetua

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat u zhvilluan si rezultat i dorëheqjes së tij disa muaj më parë, kur mori një ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Në një status në rrjetet sociale, në orët e vona Haradinaj thekson se vendimi i tij u vërtetua se ishte i drejtë për Kosovën, ndërsa procesi i së dielës tregoi se një nivel të lartë pjekurie të politikës në vend.

“Vendimi im për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

Fillimisht dua t’i falënderoj strukturat e Aleancës, aktivistët e mbështetësit e në veçanti secilin votues, që besuan dhe e votuan koalicionin AAK-PSD, duke u shprehë mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme dhe besimin e palëkundur që na e falën.

Po sot, dëshiroj të falënderoj institucionet shtetërore që kishin barrën e organizimit të zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre, për përgjegjësinë e lartë të treguar në detyrë, përgjatë gjithë këtij procesi që ende po vazhdon.

Gara e drejt dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim.

Uroj që me të njejtin nivel maturie, të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapë rrugë pa vonesa, konstituimit të Kuvendit, dhe institucioneve të reja demokratike në vend.

Kosova sot nuk dallon nga vendet me demokraci të avancuar, duke dëshmuar se jemi po aq europian sa secili vend tjetër në Europë, dhe kërkesat tona për integrim dhe respektim të shtetit e sovranitetit tonë, janë të drejta të pamohueshme, ashtu siç është e paprekshme, Kosova e 17 shkurtit.

Kosovë, na presin sfida!”, shkruan Haradinaj.

Të fundit