Flash News

Ditari i Opozitës

I gjithë populli (patronazhist) polic

I gjithë populli (patronazhist) polic

Nga Luçiano Boçi

I GJITHË POPULLI (PATRONAZHIST) POLIC

Tani që qeveria miratoi me krenari një VKM për policët vullnetarë, mund të flemë më të qetë. 

Nga sot e tutje patronazhistët zyrtarizohen dhe quhen policë vullnetarë. 

E ku ka më bukur?!

Votat i bën krimi.

Biznesin e bën krimi.

Trafikun po se po.

Spiunimin e bëjnë vullnetarët.

Tamam si brigadat vullnetare të ndjekjes së Enverit që gjuanin për diversantë.

Sepse në fund të fundit, çfarë është një shoqëri moderne pa një fqinj që të ndjek me sy, një kalimtar që të ndalon në emër të ligjit – apo të thashethemeve – dhe një qytetar që kontrollon qytetarin?

Nëse ndiheni të pasigurt në rrugë tani, është zgjidhur, mos kini frikë – mund të jetë thjesht një “polic vullnetar” që ka lënë kafene për të ruajtur rendin publik. Jo për pagesë, jo për autoritet – thjesht nga dashuria për partinë, disiplinë dhe rend. 

Sepse ç’mund të shkojë keq kur njerëzit patrullojnë rrugët me një ndjesi misioni dhe pa asnjë trajnim?

E kemi kaluar komunizmin me “syçelësit e lagjes” me “dyqindshët” e pasionuar pas spiunimit.

Tani hyjmë në kapitalizmin e ri komunist me “kontrollorët me vullnet të lirë”. 

Një lloj “Uber Police”, ku secili mund të hyjë në sistem pa patentë, por me qëllime të mira. Dhe siç dihet, rruga për ferr është e shtruar me to.

E keni parë ndonjëherë ndonjë të njohur që u pëlqen t’u bërtasë të tjerëve për parkim të gabuar? Apo dikë që poston video të qytetarëve në rrjete sociale duke i akuzuar si “të dyshimtë”? S’ka më nevojë të jenë thjesht të bezdisshëm. Tani mund të jenë zëra zyrtarë të sigurisë publike.

Ironia është që në vend që Rama të forcoë institucionet zyrtare, po krijon një rrjet të decentralizuar vigjilence. 

Ka dështuar të ndërtojmë shtetin ligjor, ndaj po ndërton një shtet të kujdestarëve të vetëshpallur.

Pateonzhist dje, polici vullnetar sot, denoncues profesionist nesër, ndoshta edhe komisar me kontratë private pasnesër.

Mos kini frikë, thonë. Është vetëm për të mirën tuaj. 

Po, njësoj si kamerat në çdo cep, si monitorimi i rrjeteve sociale, si retorika që nxit “vetëdijen qytetare” ndërkohë që heq lirinë e individit.

Në fund, në vend që shteti të bëhet më profesional, po na kërkon ne të tjerëve të bëhemi shtet.

Por le ta themi troç: kur i gjithë populli patronazhist bëhet polic, atëherë askush nuk ndjehet më qytetar .

 

Të fundit