Flash News

Ditari i Opozitës

Tërmeti i të Hënës së dytë

Tërmeti i të Hënës së dytë

Nga Grigels Muçollari

E hëna e dytë e shkurtit ka shkundur keq Tiranën politike, më saktë ngrehinën e rilindjes. Një lëvizje e fortë tektonike nxori në pah, ekspozoi, disa tipare që po mbaheshin të fshehta me propagandë e dhunë.

Në kryeqytet mbërriti drejtuesi i fushatës së PD, ai që ishte udhëheqësi i Donald Trump në fitoren spektakolare të Shtëpisë së Bardhë dhe njëkohësisht shef i Komitetit Kombëtar Republikan.

Jo thjesht prania në krah të Berishës dhe në PD, por sidomos ato që Chris LaCivita tha, ishin të mjaftueshme për të shkaktuar një heshtje të thellë, gati mortore tek qeveria dhe shumica. E kjo u pa qartë në seancën e djeshme parlamentare.

Rlindja dhe bosi i saj, janë tanimë pa atë koracën që e kishin siguruar me lobing të dyshimtë e me përqafimet e ngrohta me Aleks Soros. Janë pa dekoratat e lëshuara nga disa diplomatë, që siç po tregon transparenca që po bëhet në USA, kanë qënë tejet pa integritet.

Pra Edi Ramës i ka rënë miti i të gjithëpushtetshmit, mit që e kishte krijuar e ushqyer me lobingje. Ai është sot një kryeministër në fund të mandatit të tretë me një mijë afera e kusure për të cilat duhet të japë llogari.

Dhe për të kuptuar edhe më mirë shqiptarët se si është ushtruar zyra e detyra në 12 vite rilindje, ndihmoi akuza që u publikua dje, me të cilën është arrestuar njeriu më i afërt i Edi Ramës, i dyti në hirearkinë e interesave, rëndësisë dhe buxhetit, Erion Veliaj.

Megjithëse kanë vite që fshehin e mbulojnë, sërish prokuroria ka gjetur prova e gjurmë të shpërdorimit skandaloz. Përmasat e abuzimit me pushtetin janë para syve të qytetarëve, e sidomos tanimë në ndërgjegjen edhe të socialistëve.

Një aktivist i PS që ka punuar e është lodhur që Erion Veliaj të bëhet kryetar bashkie, vëren sot se aq sa ai e ka pagën mujore, janë shpenzuar në ditë prej kryebashkiakut vetëm për blerje rrobash e bizhuterish. Imagjoni sa shkon kostoja e luksit edhe për nevojat e tjera të këtij lakmitari.

Në bankë dhe në kasafortë, 1 milionë euro. Këto janë vetëm çfarë janë kapur, me siguri, vetëm maja e ajzbergut. Tani çdokush mund të bëjë vetë krahasimin mes këtyre pasurive e privilegjeve dhe qendrimeve e deklaratave publike të Erion Veliajt. Kur ai flet për varfërinë, për të pastrehët, për integritetin, kur ai flet për korrupsionin. Kur ai bënte si i përkushtuar, si i përdëllyer.

Milionat që ju gjetën kryebashkiakut, vinin direkt nga firmat e tij, nga lejet, licensat e nga dorovitja e taksave të qytetarëve të Tiranës.

Ky është një problem që as ka filluar dhe as mbaron me arrestin e z.Veliaj por një model qeverisje e cila na është ofruar në menyrë të dhunshme nga Rilindja prej 12 vitesh.

Gjysma e popullsisë së qytetit mezi e mbyll muajin. Janë në kredi, në borxhe. Nuk ja dalin të edukojnë si duhet fëmijet, nuk përballojnë dot kurset. Dhe teksa këto familje luftojnë çdo ditë për mbijetesë, kryetari i tyre i bashkisë shpenzon mesatarisht 18 mijë euro në muaj për blerje fustanesh dhe varësesh të shtrenjta.

Përse u dashka që një banor, një familjar, një pensionist, një i ri, një profesionist, një taksist, një student, një grua kryefamiljare, një i ri që sapo ka nisur punë, të pranojnë një tallje të tillë, një përqeshje jashtë çdo imagjinate si kjo që u bën pushteti.

Bosët e rilindjes janë tanimë lakuriq para njerëzve me gjithë zullumet e tyre. Dhe me 11 maj, do të kalojnë në gjykim. Drejtësia e madhe do të bëhet nga qytetarët.

Procedimi penal, vjen më tej.

 

Të fundit