Dy raste me koronavirus në Shqipëri, grupi i punës në PD prezanton 11 masa për përballimin e situatës

Partia Demokratike ka mbajtur sot një deklaratë për mediat pas evidentimit të dy rasteve të para me koronavirus në Shqipëri.

Pas fjalës së kryetarit Basha, ka folur dr. Mirela Tabaku, e cila duke cituar drejtorin e OBSH u shpreh se “sa vdekjeprurës do të jetë ky virus, varet jo vetëm nga ai por edhe nga mënyra sesi ne do të sillemi.”

Më poshtë 11 masat e përcaktuara nga grupi i punës i PD:

“1.      Komunikim tejet transparent dhe disa here ne dite me popullatën ne lidhje me situatën aktuale dhe masat e marra nga qeveria.

  1. Prioriteti i rëndësishëm është marrja e masave urgjente në lidhje me mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe lehtësimin e punës së tyre në funksion të popullatës. Për këtë është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi nga ana e qeverisë në mënyrë të organizuar, me mendje të kthjellët dhe pa panik.
  2. Pajisja e personelit me mjetet mbrojtëse (antivirus protection kit, maskat N95, tutat mbrojtëse, syzet apo vizierat që mbulojnë fytyrën, dorezat, qeset me qafa për veshjen e këpucëve dhe qeset për mbledhjen e mbetjeve).
  3. Marrja e masave për pajisjen adekuate me mjetet mbrojtëse për autoambulancat transportuese dhe stafin mjekësor të tyre.
  4. Bërja gati e çdo strukture të shërbimit parësor apo sekondar spitalor në çdo cep të Shqipërisë. Trajnim i kujdesshëm dhe i detajuar i stafeve mjekësore, qoftë për trajtimin e kujdesshëm të pacientëve, ashtu edhe për mbrojtjen e tyre.
  5. Fuqizimi dhe shtimi i kapaciteteve te laboratorëve, jo vetëm i atyre epidimiologjikë, viralë, por kudo që ato janë.
  6. Mobilizimi dhe vënia në dispozicion e gjithë personelit mjekësor, i cili sot nuk është aktiv, mjekë epidimiologë, infeksionistë apo edhe të specialiteteve të tjera dhe që janë aktualisht në pension.
  7. Rritja e kujdesit dhe promovimi i masave parandaluese për të gjithë popullatën dhe për personelin mjekësor në të gjitha mediat.
  8. Karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me të infektuarit dhe vetëkarantinim vullnetar për personat që vijnë nga zona të infektuara.
  9. Sigurimi i fondeve të detyrueshme nga ana e qeverisë.
  10. Zbatimi me përpikmëri i të gjithë masave dhe protokolleve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”

Propozimet e PD janë bërë publike disa orë pasi në Shqipëri u konfirmua hyrja e Covid-19. Babë e bir, 54 dhe 28 vjeç, janë dy të prekurit e parë, që janë izoluar në ambientet e spitalit Infektiv.