Flash News

E-TJERA

"Delta e përhapur gjerësisht", qytetet ku është evidentuar varianti i ri; Komiteti nuk ndryshon masat: Vaksinohuni!

"Delta e përhapur gjerësisht", qytetet ku është
Komiteti Teknik i Ekspertëve

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme, pas konfirmimit të ekzistencës së variantit Delta në Shqipëri. Pavarësisht kësaj dhe incidencës që ka ardhur në rritje, Komiteti vendosi që të mos i ndryshojë masat kufizuese, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Zëvëndësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se varianti Delta është i përhapur gjerësisht në Shqipëri.

“Është vërtetuar zyrtarisht nga Berlini dyshimi i ISHP për praninë e variantit Delta të virusit në Shqipëri. Kampionet në këtë laborator u dërguan nga disa rajone të vendit gjë që tregon që virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri”, tha Rakacolli.

E pyetur nëse shkollat do të rifillojnë mësimin në shtator, Rakacolli tha se nëse situata do të paraqitet siç është tani, do vazhdohet normalisht. Ajo shtoi se vendimet do të merren në varësi të situatës epidemiologjike.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se rastet me variantin Delta janë konfirmuar në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora. Ajo bëri me dije se rastet kanë shënuar rritje, ndërsa shtoi se në spitalin Infektiv ka 9 pacientë të shtruar.

“Dua t’iu sjell në vëmendje situatën epidemiologjike në vend, që ka shënuar disa rritje në raport me incidencën, që është 10 për 100 mijë banorë, mesatarja ditore është rritur, numri total i rasteve rezulton i rritur. Në Infektiv janë të shtruar 9 pacientë, fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh.

Sa i përket variantit Delta, dyshimi ynë i arsyeshëm është konfirmuar tashmë. Dërguam 21 mostra kimike, që kanë rezultuar pozitivë. Këto mostra i kemi vënë mënjan për periudhën 1 qershor-12 korrik, kur filluam të shohim sinjalet e pazakonta. E rëndësishme është që këto mostra i kemi gjetur në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora”, tha Fico.

 

Të fundit