Flash News

KRYESORE

Hysamedin Feraj: Besoj se Gent Cakaj pranon se shqiptarët dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshëm

Hysamedin Feraj: Besoj se Gent Cakaj pranon se shqiptarët dhe

Profesori dhe filozofi Hysamedin Feraj ka analizuar deklaratën e zv/ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, kur është pyetur nëse është për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Feraj beson se zv/ministri Cakaj ka pranuar premisën se shqiptarët dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshme.

Argumentat e profesorit mund t’i lexoni në shkrimin e mëposhtëm me titull: Entymemat e Gent Cakës

Entymema është argumenti (silogjistik) të cilit i mungon premisa e madhe;

Pa të, argumenti ose nuk është i vlefshëm logjikisht, ose premsia e madhe është tashmë e pranuar dhe argumenti është i vlefshëm.

I pyetur a është për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Cakaj nuk përgjigjet me po.

Në vend të saj shpalosë dilemat që shoqërojnë bashkimin dhe modelet e mundshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë si të ndara.

Si model kooperimi që “prej Këshillit Nordik të themeluem me 1953 deri te Unioni Serbi-Mali i Zi, i cili është shuar në vitin 2004” zgjedh të ofrojë modelin e Unionit Serbi-Mali i Zi (Nga “Zona e Debatit”, 01.11.2018).

Mirëpo:

1.

Unioni Serbi-Mali i Zi ishte lidhur ndërmjet dy kombeve të ndryshëm;

Pra, mundet të shërbejë si model i bashkimit në një shtet të dy kombeve të ndryshëm;

Atëherë Caka:

Ose duhet ta ketë premisë të madhe të modelit që ofron premisën se kosovarët dhe shqiptarët janë dy kombe të ndryshëm;

Ose argumenti për modelin e unionit të dy kombeve është logjikisht i pavlefshëm në rastin shqiptar.

I reklamuar si gjeni i shkolluar (jo i lindur), Cakaj vështirë se bën gabime logjikë elementarë në argument. Prandaj, duke pranuar gjenialitetin e tij jam më i legjitimuar të besoj se ka pranuar premisën e madhe: shqiptarët dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshëm.

2.

Që nga J.St. Mill, për krahasimin vlejnë katër mënyra (metoda):

E ngjashmërisë, e dallimit (më të madh), e mbetjes, dhe përdorimit të kombinuar të tyre;

Atëherë Cakaj ka përdorë:

Ose metodën e dallimit më të madh, pa treguar si mund të shërbejë si model për rastin që dallon aq shumë;

Ose metodën e ngjashmërisë: rasti i bashkimit të shqiptarëve është i ngjashëm me rastin e dy kombeve të ndryshëm: serbëve dhe malazezëve;

Pa premisën e madhe të ngjashmërisë, në këtë rast të analogjisë proporcionale (shqiptarët dhe kosovarët janë në raport si serbët me malazezët), argumenti krahasues i tij mbetet i pavlefshëm logjikisht.

I reklamuar si gjeni i shkolluar (jo i lindur), Cakaj vështirë se bën gabime logjikë elementarë në argument. Duke pranuar gjenialitetin e tij jam më i legjitimuar të besoj se ka pranuar premisën e madhe: rasti i Shqipërisë dhe Kosovës është analog me rastin e Serbisë dhe Malit ë Zi, si kombe të ndryshëm.

Një ditë, ndoshta, do të na tregoj se si rasti më i dallueshëm shërben si model për zgjidhjen e një problemi që nuk ka ngjashmëri me të, dhe të dëshmoj se nuk është i nevojshëm pranimi i premisës së madhe që duket se implikohet logjikisht për hirë të vlefshmërisë logjike të argumentit. Ndoshta do të na tregojë se është gjeni, por shkollat ku ka mësuar nuk kanë qenë në rregull, nuk i kanë mësuar gjëra elementare, etj.

3.

Në rastin e modelit që ofron, Unioni i Serbisë dhe Malit të Zi, gjithsesi është i kujdesshëm të sqarojë se “kjo nuk është thirrje se ne do të procedojmë në këtë drejtim”.

Pse ky nxitim? Ndoshta sepse, sidoqoftë ato ishin një shtet i përbashkët?

Pra është i kujdesshëm të sqarojë se nuk po lë as të nënkuptohet se këshillon bashkimin e Kosovë me Shqipërinë në një shtet, por po e përdor rastin vetëm “si impuls i rëndësishëm në reflektim të formave të mundshme të organizimit” dhe bashkëpunimit.

Shqetësimi se mos modeli i ofruar prej tij mund të merret si thirrje për bashkim, qëndron logjikisht nëse ka për premisë të madhe pohimin e tij se është kundër bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Përndryshe shqetësimi i tij është logjikisht i pavlefshëm.

Përndryshe mbetet i kuptueshëm vetëm si qëndrim emocional personal, dhe në këtë rast logjika mbetet pa punë.

4.

Në nivel termash, Cakaj bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë e quan “absorbim”, domethënë përthithje të Kosovës nga Shqipëria. Si gjeni, e ka zgjedhë me qëllim këtë fjalë për shkak të konotacionit dhe figurës që bartë? Po të pranojmë gjenialitetin duket se nuk mund të jetë ndryshe. Por kësaj here nuk do të merrem me fjalët, as me lapsuset që ia korigjon Batoni.

Sa më lartë, lejon të inferohet se Caka i përket rrymës së kosovaristëve përballë shqiptarëve; ose që nuk është “i ditur”, “i përgaditur”, “i shkolluar” sa duhet, duke lënë shteg për inferenca të tjera që na duhet t’i pranojmë nga domosdoshmëria logjike, domosdoshmëria më absolute, përballë të cilës mohimet verbalë të Cakajt nuk kanë asnjë vlerë.

Gjithsesi, dikë që e vlerësojnë për gjeni Batoni dhe Rama – dy njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me mendimin por vetëm me instinktin primal të gjallesës – po të jetë vërtetë gjeni e rishikon seriozisht veten nëse është ose jo në rregull nga mendtë, apo ka rrëshqitur diku.

Të fundit