Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Kriza e re e Gjykatës Kushtetuese, nga zbrazja prej vettingut te përplasja e Metës me KED e mazhorancën
Gjykata Kushtetuese duket se ka kaluar në një tjetër situatë ngërçi, gjatë procesit të përzgjedhjes dhe emërimeve të anëtarëve të rinj.
Ndërsa kishte mbetur vetëm me një anëtar, Vitore Tusha, e vetmja që arriti të kalojë procesin e rivlerësimit, zgjedhja e anëtarit të dytë në vend të anëtarëve të shkarkuar nga vettingu, është kthyer në një ‘mollë sherri’ mes presidentit Ilir Meta dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përfshirë edhe votimet e tyre nga Kuvendi.
Pasi dekretoi emërimin e Besnik Muçit si plotësim i vakancës së parë, kreu i shtetit pezulloi të paktën përkohësisht procesin. Këtë vendim, Meta ia përcolli edhe KED, ku me anë të një letre i kërkonte që të respektohet radha kronologjike e përcaktuar në Kushtetutë për 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese vakanca e parë plotësohet nga Presidenti, e dyta nga Kuvendi dhe më pas nga Gjykata e Lartë.
Më 14 tetor 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi Kuvendit dy listat e renditjes së kandidatëve për dy vendet vakante, por Meta me një letër të hapur i drejton gishtin KED për ngërçin e krijuar lidhur me anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, në datë 8 nëntor, afati për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nga ana e presidentit skadoi.
Ndërkohë, seancën e fundit parlamentare Kuvendi votoi si anëtarët e rinj Elsa Toskën dhe Fjona Papajorgjin, duke qenë se Arta Vorpsi nuk u zgjodh nga presidenti brenda afatit 30 ditor që i përcaktonte Kushtetuta, automatikisht u zgjidh një nga anëtaret.
Po atë ditë, mazhoranca insistoi se Meta me interpretimin e tij për emërimet e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese synon të bllokojë procesin e ngritjes së kësaj gjykate, duke e cilësuar debatin si një konflikt politik e institucional dhe se radha nuk përcakton veprimin kohor se cili organ vepron i pari, i dytë e i treti, pra presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
“Kam një pyetje për juristët e presidentit: Nëse zbatojmë radhën, në Gjykatën e Lartë që momentalisht nuk e kemi funksionale? I bie të bllokojmë kushtetuesen kushtetuese edhe për një vit tjetër. Arsyetimi i tij është dashakeq se me këtë mënyrë interpretimi synohet bllokimi i GJK”, tha Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla akuzoi presidentin se nuk ka hallin e renditjes, por se në listën që i dorëzoi KED nuk rezultonte ish bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt, Marsida Xhaferllari.
Kjo e fundit është kthyer tashmë në një situatë të re kaotike pasi së fundmi, Meta e dekretoi Xhaferllarin si anëtaren e re të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për të njëjtin vend vakant, pra për listën që i ishte dërguar presidentit, automatikisht emërohej Arta Vorpsi.
Dy gjyqtare për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese
Dje, presidenti Ilir Meta nënkuptoi në konferencën për shtyp se nuk do ta thërrasë për tu betuar Arta Vorpsin, anëtaren e zgjedhur automatikisht nga KED në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa kjo e fundit, sot u betua në noteri në pozicionin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.
Kurse sa i takon Marsida Xheferllarit, Meta tha se është një gjyqtare e kualifikuar dhe se është diskriminuar nga KED.
“Unë nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme të turpshme, që u takojnë vetëm njerëzve që nuk kanë asnjë lloj dinjiteti, besoj se veprimet e mia ishin të përgjegjshme. Ju përmendët një emër, është emri me CV me të shkëlqyer që ka sjellë KED, një person i diskriminuar. Një person që nga dy persona të shfaqur tërësisht politik nga KED ka pasur vlerësimin zero. Ndërkohë që ka pasur vlerësim të shkëlqyer për karrierën dhe shkollimin. Nëse Presidenti nuk do të kishte besimin te asnjë individ, do të thoshte nuk kam besim dhe të vepronin si të dëshironin”, tha Meta dje për gazetarët.
Për këtë, Meta ka akuzuar institucionin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) se po bën manovra që të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe se procesi për zgjedhjen e kandidatëve për anëtare ka qenë i paracaktuar dhe kreun e KED-së, Ardian Dvorani, si “ushtar të partisë”.
“Kemi situatë ku të gjithë kandidatët janë thuajse të përcaktuar. Kjo do të thotë se nuk ka praktikisht zgjedhje. Kryetari i KED ka bërë veprime antikushtetuese. Presidenti ka komunikuar me KED që herët, por ka komunikuar edhe me parlamentin. Ne nuk kemi dashur te jemi në situatë ngërçi. KED e ka vënë presidentin në situatë të vështirë. Ka ndodhur që në krye të KED-së të vinte një ushtar i verbër i partisë. Duhet të vinte një ushtar i partisë që në kundërshtim edhe me statusin që ka bën lojëra të tilla që të vendosë në pozitë kreun e Shtetit që o të shkelë Kushtetutën me pahir ose me lojëra të tilla të turpshme që as fëmijë rrugaçë nuk bëjnë t’i rrëmbejnë Presidentit në mënyrë mafioze kjo është e vërteta.”, u shpreh kreu i shtetit.
Po ashtu sipas Metës, dekreti i tij për zgjedhjen e Marsida Xhafellarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është i ligjshëm.
“Duhet të kemi të qartë ju dhe çdo qytetar se nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin, ka afat për parlamentin, për arsye se është një institucion kolegjial që përbëhet edhe nga forca të ndryshme politike, por jo për Presidentin.
E dyta, që duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta është zero, letër, pa gjykatën Kushtetuese. Momenti i krijimit të gjykatës është historik sepse për herë të parë krijohet gjykata sipas reformës që u bë në kushtetutë për reformën në drejtësi dhe është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta aq më tepër për gjykatën, pasi është garancia për mbrojtjen e popullit shqiptar.”, tha Meta duke shtuar se çdo akt në këtë proces është historik sepse do të mbetet si një referencë në të ardhmen.
Gjithsesi, ky debat mbetet për tu parë si do të shkojë, pasi nesër (të premten) pritet që Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, lidhur me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si një nga 9 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese.