Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Marsel Lela
Shkencërisht dihet se minjtë janë ndër të parët gjallesa që e ndjejnë tërmetin dhe, së lashti, kur kishte dyndje të tillësh, ishte shenjë paralajmëruese se tërmetet ishin pas derës. Tërmeti që ra ditën e shtunë në Shqipëri nxori në pah një lloj tjetër ‘minjsh’, të cilët ndryshe nga minjtë e tjerë, nuk dynden para, por pas këtij fenomeni natyror.
Të parët ishin disa media që, për hir të klikimeve nisën të abuzonin me lajmet që lidheshin me tërmetin. Shpërdorimet nisnin që në titull, me fjalë e fraza apokaliptike si: “Dilni nga shtëpitë”, “e frikshme”, “i tmerrshëm”, “Katastrofik”, etj.
Lajmet e tyre përpiqeshin të gjenin ‘katastrofën’ edhe aty ku nuk ishte, duke përfituar nga gjendja e rënduar psikologjike e qytetarëve që kishin përjetuar shkundjen e tërmetit të parë të ditës së shtunë. Ky soj ‘minjsh’, ndryshe nga minjtë e zakonshëm, nuk doli vetë në rrugë, por nxori të tjerët me anë të lajmeve të dala nga goja e një sizmologu të famshëm për paralajmërime katastrofash që nuk kanë ndodhur kurrë.
Më pas informacionet e dhëna nga sizmologu grek Akis Tselitis gjatë një interviste për ‘Top Channel’, u përpunuan për të dhënë diçka që ai nuk e kishte thënë, por që do të bënte shumë më tepër bujë. Lajmi për një tërmet deri 6 ballë i shkallës Rihter që pritej të godiste vendin tonë në orën 23.30 të dielën, nuk bëri vetëm bujë, por shkaktoi një panik masiv, duke bërë që qytetarët e Tiranës të linin shtëpitë dhe të pushtonin rrugët nga frika.
Soji i dytë i këtyre ‘minjve’ që dolën fill pas tërmetit ishin zyrtarë të lartë të shtetit. Në vend që të merrnin në dorë kontrollin e situatës dhe të informonin publikun, duke ua lënë skenën specialistëve, ata pushtuan mediat dhe rrjetet sociale duke treguar një protagonizëm të panevojshëm.
Rrjetet sociale u ‘shkundën’ nga një tërmet fotosh e videosh të kuruara ku shikohej kryeministri Rama dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Qeverisë, qendrore por edhe vendore, që inspektonin zonat e prekura nga tërmeti, apo u shërbenin qytetarëve nëpër çadra.
Përveçse i panevojshëm, ky protagonizëm rezultoi të ishte edhe i rrezikshëm.
Në njëfarë mënyre, disa lajmërime të Qeverisë i dhanë një shtysë edhe më të madhe qytetarëve për t’i besuar lajmet e rreme për tërmetin 6 ballësh, që paralajmërohej të binte mesnatën e së dielës. Kjo, për shkak se qytetarët ishin gjithnjë në ankth në pritje të reagimeve zyrtare.
Me një lajmërim in extremis ministrja e Arsimit Besa Shahini lajmëroi se të hënën nuk do të kishte mësim për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme. Më vonë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka lajmëroi se ishte marrë vendimi që po kështu të ishin pushim edhe kopshtet dhe çerdhet.
Sipas ministres Shahini, ky vendim ishte i nevojshëm pasi familjet nuk ishin ende emocionalisht gati për t’u kthyer në punë dhe shkollë. Ky vendim i ministres do t’i shkonte për shtat një vendi komunist si Koreja e Veriut, ku të gjithë janë punësuar në shtet, por jo një vendi si Shqipëria. Kjo pasi, ndërkohë që një pjesë e familjeve ‘qetësohen emocionalisht’, mijëra familjeve të tjera, kryefamiljarët e të cilëve punojnë në privat rëndohen dyfish, pasi duhet të shkojnë në punë duke menduar kujt do ia lënë fëmijët.