Flash News

OPINEWS

Krahu i thyer i kryebashkiakut

Krahu i thyer i kryebashkiakut

Nga Elona Caslli

Para disa ditësh dëgjova një intervistë të Lea Luarasit tek Adi Krasta. Më la shijen e kafes së parë në mëngjes, pasi ishte krejt e natyrshme në përgjigjet që dha. Do të veçoja një përgjigje të sajën teksa Adi e Krasta e pyeti; ' Ishe ti e ndërgjegjshme që ishe vajza e një aktoreje të madhe?! Ajo krejt natyrshëm u përgjigj; Unë dhe vëllai ishim të ndërgjegjshëm, që ndryshe nga fëmijët e tjerë, kohën pas shkolle e kalonim te pishina e Teatrit Kombëtar që ishte pa ujë. Na jepnin një top teksa aktorët bënin prova dhe unë e vëllai luanim. Kur mërziteshim thonim" Akoma nuk mbaruan këta?! Për të tjerët ishte aktorja e madhe, por në sytë e mi ishte Mami.

Pra, sado e madhe qoftë fama e një prindi, fëmija e tij do ta shohë gjithmonë si babën apo nënën e tij dhe sot dy vajzat e Ismail Kadaresë kanë humbur fillimisht Ismailin si baba e mandej Ismailin si shkrimtar. Helena ka humbur fillimisht babain e dy vajzave dhe njëkohësisht bashkëshortin e saj e mandej Kadarenë si shkrimtar.

Fama është e pafuqishme ta zbusë dhimbjen përballë një fëmije që humb prindin. I famshëm ose jo, një prind që ikën lë një boshllëk që nuk mund ta mbushë asnjë prani tjetër.

Duke e trajtuar çështjen në rrafshin njerëzor, prisja që bashkëshortja e të ndjerit sot të mbështetej në krahët e vajzave të saj, në krahun e mbesës së saj, në krahun e dhëndrit të saj, në krahun e një miku të ngushtë të familjes, por kurrsesi në krahun e thyer të kryebashkiakut, pasi është një krah i thyer nga pesha e rëndë e fajit që ndot jo vetëm të gjallët që mbështeten tek ai krah, por edhe të ndjerin në arkëmort.

Post Scriptum- Morti nuk është panair politik.

 

Të fundit