Pronat në bregdet/ Gurakuqi: Qeveria u zë tokat qytetarëve për llogari të ‘pasanikëve të rinj’

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi, ka komentuar nëpërmjet një postimi në facebook atë që ai e quan ‘vjedhje e pronës nën maskën e ligjit’. Me këtë Gurakuqi i referohet tokave në bregdetin e Veriut, konkretisht zonës së Tales në Lezhë, sipas të cilit qeveria po i anekson për hesat të klientëve të vet.

Gurakuqi thekson se pronarët e ligjshëm të tokave janë banorët vendas, të cilët, sipas tij, kanë qenë prej shekujsh pronarë tokash në bregdet dhe më tej.

“Pronësia e tyre është njohur, e regjistruar në kadastra dhe respektuar rigorozisht edhe në kohën e Perandorisë Osmane, në kohën e Mbretnisë së Parë, të Republikës së Parë dhe Mbretnisë së Dytë shqiptare, deri në vitin 1944, kur “çlirimtarët” u shfaqen pabesisht para kullave malësore”, shkruan Gurakuqi.

Më tej ai shkruan se gjatë tranzicionit, një pjesë e të drejtave janë rikthyer, por vjekcat ligjore kanë penguar njohjen tërësore të pronësisë stërgjyshore.

“Qytetarët sërish ndodhen para një “planifikimi të ligjshëm” qeveritar, të bazuar në aktet më të fundit klienteliste të hartuara me synime të qarta të zënies së territoreve për llogari të “pasanikëve të rinj”, që mbajnë në këmbë pushtetin.

Kasta, me ndihmën e pakursyer të qevërisë, mësyn mbi jetën e njerëzve të thjeshtë, që detyrohen më pas të marrin arratinë nga Atdheu që i persekuton dhe u heq mundësinë e jetës normale. Dikur gjyshërit vinin në këto anë me armët e “partizanëve çlirimtarë”. Sot, nipërit e tyre vijnë me forcën e organeve që zbatojnë ligjet e Parlamentit Njëpartiak.

E gjithë kjo mësymje rrënimtare persekutuese ndaj familjeve shqiptare ndodh para syve të heshtur të organizmave ndërkombëtarë dhe ambasadave perëndimore të pranishme në Tiranë. Shqipëria është tanimë një shtet i përbamë nga institucione që formalizojne dhe ligjësojnë dhunën e një grushti njerëzish të fuqishëm mbi pjesën tjetër të shoqërisë, të drejtat e së cilës ngelin vetëm në letër”, thekson ish deputeti i PD-së.