Flash News

KRYESORE

Reportazh/ Një ditë në Lazarat, për të kuptuar pse Ambasada amerikane e quan ‘të rrezikshëm’ dhe pse politika hesht

nga Lazarati, Alfred Lela

Ishim pajtuar thuajse të gjithë se Lazarati, fshati mes Gjirokastrës dhe kufirit grek, i përkiste tashmë legjendës. E cila na stërpik herë pas here me grimca famëkeqe nga ky ‘territor i jashtëligjshëm’ dhe i çuditshëm, i papërkulur dhe ‘jashtëkohe’. Kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Tahiri e patën vënë gurin e rënë të Lazaratit në kurorën triumfale të ‘sundimit të ligjit’, më në fund, edhe në këtë cep të Shqipërisë që nuk i përkiste askujt.

Si në legjenda, u desh një dëshmor për këtë: Ibrahim Basha, një polic i Forcave speciale që kishte marrë pjesë në operacionet e ushtrisë shqiptare në Afganistan, duke luftuar krah amerikanëve. Njëri prej tyre, një shok armësh, e përshendeste kështu ikjen e tij nga kjo botë: shihemi në Valhala, vëlla.

Ibrahimi ra diku në hyrje të fshatit, poshtë një avllie me gurë e blloqe betoni që kapet nga syri edhe këtu ku jemi ulur, një lokal përballë fshatit, në një T që formon rruga kombëtare me degën e saj që të ngjit në Lazarat. Një diell shtatori pjek kodrat gëlqerore ku shtrihet fshati rebel. Asgjë jashtë të zakonshmes duket se nuk na pret këtu. Makina të rralla ngjiten e zbresin së tatëpjetës.

Burrat me të cilët jemi ulur ngulmojnë se fshati është sulmuar dhe keqtrajtuar, si nga gazetarët, si nga politika. Kur i njoftoj se dua të ngjitem lart në fshat e të flas me njerëzit, dalloj te ta një fërgëllimë parehatie. Njëri prej tyre tregon me dorë nga fshati dhe më thotë se mund të ngjitem, por do të ndeshem me të njëjtët njerëz me të cilët flasin gjithmonë gazetarët kur vijnë këtu. Nja tre-katër pleq.

Biseda ka ritmin e një kafeje mëngjesi në çdo cep të Shqipërisë. Edhe subjekti është i njëjti; politika. E cila fajësohet për 500 vjet burg që bijtë e Lazaratit janë dënuar pas përplasjes me Policinë vite të shkuara, kur ministri i asokohe, Tahiri, vendosi të futej me forcë në fshat. Ka një teh simbolike te ky numër, te 500-a. Asosacioni i parë që krijon janë pesëqind vitet e pushtimit turk. Me anë të këtij numri ky burrë i vjetër, me një kapele të bardhë gjithë njolla, me duar saldatori dhe sy ku pushon një melankoli e vjetër sa ungjijtë, po thotë se shteti është pushtuesi. Ka një mbiemër të tmerrshëm ky zotëri: Gaba. Si të një legjionari romak në viset ilirike, apo, meqë jemi në territore mitologjike si të zhgabës së legjendës që kërkon një haraç për të ngjitur njeriun nga nënbota në jetë.

Lazarati e ka paguar gjithmonë haraçin e vet për të ndenjur në sipërfaqe. Më saktë dikush e ka paguar për të. Burrat që flasin fshatçe e gjithë pasion përmendin një emër: Sali Berisha. “Ka marrë kosto politike për ne”, thotë njëri dhe të tjerët nxitojnë të bien dakord. Emri i Berishës shndrin mb fytyrat e tyre si një kujtim i largët dhe ndjellës begatie. Mundohem t’i zbres në profilet e tyre tiparet e forta wolverine të Presidentit të parë paskomunist të Shqipërisë dhe të skalis në këtë amalgamë historinë e Lazaratit. Është fytyra e tranzicionit shqiptar, cit me relieve të së papriturës, me vendime incognito, me skena romaneske, me besëlidhje të çuditshme politiko-shoqërore. Këta fshatarë të thjeshtë, por brisk të mprehtë, e dinë trashgiminë e tyre dhe të fshatit, dinë edhe mecenatin e tyre politik, dinë edhe pushtuesin e ri që u erdhi, për qëllimet e veta sipas tyre, i veshur me ligj, por pa plan, pa empati. Sikur po hynte në territore të huaja.

Shoh nga shoqëruesi, duke bërë me kokë nga e përpjeta e fshatit, dhe ngrihemi. Ne duke dalë, ai duke hyrë. Përshëndetemi shkarazi, si ata në filmat Western që nga çasti në çast mund të nxjerrin pistoletat e të shtijnë mbi sho-shoqin. Uniforma blu dhe ne ecim në drejtime të kundërta pa u kthyer, as për të shtënë, as për të buzëqeshur. Pas pak minutash, kur jemi në qendër të Lazaratit e kuptojmë se polici na është vënë pas.

Vendimi për të ardhur në fshatin e shumëlakuar nuk është rastësor dhe as i paqëllimtë. Politiko.al siguroi një email të Ambasadës amerikane dërguar nënshtetasve amerikanë ku Lazarati klasifikohej si ‘territor i rrezikshëm’. Po aty njoftohej se punonjësve të Ambasadës u ndalohej të shkonin në këtë fshat. Kishte diçka të çuditshme në këtë komunikim, sepse Lazarati konsiderohej tashmë ‘kështjellë e rënë’. Politiko e raportoi lajmin dhe vëzhgoi me habi se për të nuk pati asnjë reagim. As nga qeveria dhe as nga opozita. Asnjë media nuk e rimori apo trajtoi lajmin; afër opozitës apo qeverisë. Sipas një editoriali të autorit të këtyre radhëve mosreagimi fshihte diçka.

Ky ‘konspiracion në heshtje’ na shty drejt fshatit që amerikanët e konsiderojnë ‘të rrezikshëm’.

Tek ngjitemi xhadesë së fshatit na bëjnë përshtypje muret rrethuese të shtëpive. Dominuese dhe të larta ato janë shenjë se të zotët e tyre parapëlqejnë t’i fshehin oborret dhe kopshtijet nga sytë e kalimtarëve. Kur ngjitemi më lart dhe zbresim nga makina e kuptojmë se kjo ‘fshehtësi’ është e pamundur. Duke qenë i vendosur në brinjë të një kodre fshati mund të jetë sekret për kalimtarët në rrugë, por jo për fqinjët. Secili ka një pamje të gjithçkaje të shtëpisë poshtë dhe ky ekspozim vazhdon deri në fund të kodrës. Lazarati mund të ketë shumë për të fshehur, por nuk fsheh dot asgjë. Gjeografia, si çdo herë tjetër, e përcakton historinë.

Në një perimetër të vogël shtrihet çka banorët konsiderojnë qendër të fshatit. Dy lokale populluar rrallë vigjilojnë mbi aksin qendror ku janë parkuar tre furgonë udhëtarësh. Një volum gri ngrihet mu në buzë të një rrëpire që sheh mbi një prej lagjeve. I konsideruar lapidar, shkujdesja për të tregon se historia e fshatit, ashtu si ringjallja e Lazarusit, jeton më mirë në gojëdhëna se sa në objekte.

Ajo që mungon në kulte të historisë së përbashkët është gjetur në fe. Dy xhami ngrihen, afër e afër, përballë një teqeje bektashiane. Këtij denominacioni të islamit i përket tradicionalisht Lazarati, por duket se sunitët, që kanë gjetur mbështetës mes të rinjve janë në ngjitje. E sheh këtë ‘përplasje qytetërimesh’ në rrugët e fshatit. Të moshuarit zbresin teposhtë pas një vizite në teqe me tespijet, predispozitën dhe outlook-un e muhamedanit të dikurshëm shqiptar. Pleq të rruar taze, veshur në të zeza, mustaqe të prera shkurt, shenjë e burrërisë jo e fesë, kontrastojnë me të rinjtë: mjekra të gjata të çrregullta, një leshnajë misionarësh dhe proselitësh, një identitet i ri që don të thyejë rregullin e vjetër dhe të krijojë të riun.

Përmbi këtë skenë, thuajse si në një akt përmbyllës, aty ku teqeja dhe xhamia ndeshen në një shesh mbi kodrinën sunduese të fshatit, dy fëmijë, jo më shumë se 10 vjeçarë, përshëndesin njëri-tjetrin gjithë gëzim: selam alekum!

Një alekum selam thepiset poshtë kodrës si një gur që kërkon të bëjë vend në muret e larta lazaratase. Bashkëjetesa e të pamundurave, devocioni fetar me famën e hashashit më të mirë në Europë, e bën ‘të rrezikshëm’ këtë fshat ndoshta.

A thua këtë kanë pasur në mend amerikanët?

Roland Bejko, ish-kryetar i PD së Gjirokastrës, një lazaratas, ishte i vetmi që reagoi pasi Politiko.al botoi memon e Ambasadës amerikane, dhe që nuk u pajtua me përfundimet e saj. Politiko kontaktoi me zyrën e shtypit të Partisë Demokratike për të ditur se pse nuk reagoi zyrtarisht opozita dhe mori këtë përgjigje: nëse qeveria do të japë sqarime, patjetër që mund të kemi edhe ne reagim.

Ndryshe nga PD, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ktheu përgjigje pas interesimit tonë. Një ish-ministër i Brendshëm i PS gjithashtu e shmangu mundësinë e një prononcimi mbi çështjen.

Klodiana Lala, gazetarja e rreptë e kronikës në News 24, nuk hezitoi të flasë, si gjithmonë. “Nëse ka një vend që zonja ambasadore e ShBA-ve duhet të vizitojë, është pikërisht Lazarati. Sepse atje do të kuptojë realisht dështimin e qeverive në këto 30 vite”, thotë Lala.

Gazetarja zbret ndoshta në zemër të çështjes duke përmenur martesën, jo dhe aq të parehatshme, mes krimit dhe politikës dhe raportin e zhdrejtë mes të fortëve që i kanë varfëruar deri në palcë më të dobëtit.

Sipas saj, Kim, po të shkojë në Lazarat do të shohë sesi “dhjetra gra e fëmijë janë shfrytëzuar ndër vite që bosët e hashashit të bëheshin edhe më të pasur. Lazarati, është fshati që dëshmon shumëçka për Shqipërinë tonë të marrë peng nga një grup njerëzish, që sa herë u rrezikohet koka, bëhen bashkë kundër shqiptarëve”.

Gazetarja i bën thirrje ambasadores të mos hezitojë të vizitojë Lazaratin; banorët e fshatit do ta mirëpresin dhe peshqit e mëdhenj të drogës e korrupsionit, s’do ta presin mirë këtë.

Ajo për të cilën flet Lala, bashkëjetesa mes politikës dhe krimit, shihet edhe te konsensusi për ta vrarë me heshtje një ‘shpallje’ të Ambasadës amerikane komunikimet e së cilës interpretohen edhe kur duket se në to nuk ka asgjë për të interpretuar?

Çfarë shpjegon Lazarati për luftën e qeverisë kundër kanabisit, të cilën e nisi nga fshati jugor dhe, pse opozita kompleksohet nga e shkuara e saj në raportet me fshatin rebel dhe ‘të jashtëligjshëm’, duke mos prodhuar dot një lidhje të re për të tashmen dhe të ardhmen?

Një vizitë në Lazarat nuk mund t’i eksplorojë të gjitha përgjigjet, edhe për faktin se aty nuk shihej asnjë shenjë e kultivimit të kanabisit. As aroma e famshme e bimës psikedelike nuk ngrihej në ajrin e tendosur me diell të vjeshtës së parë.

I vetmi sy që i ndjek pandehmat e kthimit në origjinë të kryeqendrës së dikurshme të bimës narkotike është një polic i vetmuar që shfaqet në qendër të fshatit me një ecejake gjoja shpërfillëse, pa lidhje me të tjerët. I afrohet Jonës, fotoreporteres së Politiko dhe kërkon t’i kontrollojë aparatin. Afrohem dhe mes nesh vijon një bisedë e kujdeshme në teh të së cilës rri gati shkëndija e një zënke. “Nuk ke të drejtë të pengosh gazetarët në punën e tyre”, i them.

Paraqitet si inspektori i zonës. Në uniformën dhe manierat e këtij mesoburri shndrin kujdesi dhe pastërtia e një polici që ka respekt për veten. Kjo nuk është pak në një epokë ‘zdromsash’, siç i karikaturon burrat shqiptarë një politikan i qeverisë.

E pyes për ‘rrezikshmërinë’ e fshatit dhe për paralajmërimin e Ambasadës amerikane për nënshtetasit. E mohon duke nxjerrë trupin përpara me gjeste që sikur thonë ‘çfarë është ajo fjalë’.

Pas inspektorit të Policisë na pret ‘ana e kundërt e ligjit’, Ylli që ka bërë 1.3 vjet burg ‘për 50 rrënjë kanabis’, siç thotë. Gjatë bisedës na lë të kuptojmë se ka marrë përsipër fajin e të tjerëve. Jeton në një shtëpi modeste, ndoshta në kufijtë e varfërisë. Nxiton për të na treguar dëftesën e të nipit, i cili merr nota të mira në shkollë. Me gjasë, është duke ëndërruar që të paktën ai do të shpëtojë nga ky fshat, në syrin e ciklonit të politikës dhe ndërkombëtarëve. Na kërkon t’a ndërmjetësojmë me Elvis Naçin për të ndihmuar një të afërm të tij që jeton në fshatin Mashkullorë në kushte të vështira. Me anë të kësaj kërkese po na kumton dramën e vetes dhe të njeriut shqiptar, shpresën te teleimamët.

A nuk është e gjithë Shqipëria, në fund të fundit, një teleRepublikë? Që nuk ka filluar me ndërhyrjen e forcave speciale në Lazarat, sa e sa herë, duke inskenuar shtetin që vendos rendin dhe zgjidh problemet. Herën e fundit edhe duke lënë një të vrarë në proces. Mu nën ato muret të larta që shohim sot dhe që mundohen të fshehin një ‘sekret’ hija e të cilit del mbi to dhe zgjatet deri në rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Lazarati, i cili duhet të jetë pagëzuar pas emrit të Lazrit (Lazarus) që u ngjall së vdekurish pas katër ditësh nga Krishti, ka diçka biblike. Pikërisht emblemën e ringjalljes. Kur u kujtua i vdekur, ja ku u ngjall në një komunikatë të Ambasadës amerikane.

Për qeverinë, opozitën dhe median vazhdon të jetë i vdekur ndërkohë. Askush nuk e don më nëpër këmbë. Të gjithë i tremben fantazmës së tij. Hiq, ndoshta, Sali Berishën që i ka marrë ndërkohë kostot për laissez faire-in e tij në raport me fshatin. Edhe Doktori hesht si të tjerët, por ai është i vetmi i qetë ndër ta.

Amerikanët, që shpesh luajnë Krishtin, nuk se kanë dashur ta ringjallin fshatin, por veç të ruajnë të vetët.

Sekush ruan të vetët në këtë botë.

Ditari politik

Të fundit