Si ra Shqipëria në kanal, bashkë me makinën e Prokurorit   

Alfred Lela

Të gjithë të dyshuarit kryesorë janë edhe ‘të dyshuarit e zakonshëm’. Dhe kjo është tash për tash humnera e Shqipërisë: ajo është kthyer në një vend të ‘të dyshuarve të zakonshëm’. Ata që marrin koncensionet e mëdha janë ‘të dyshuarit e zakonshëm’; ata që bien në prita janë ‘të dyshuarit e zakonshëm’; atë që dalin në pritë janë ‘të dyshuarit e zakonshëm’; ata që bëjnë sikur qeverisin janë ‘të dyshuarit e zakonshëm’; ata që bëjnë sikur bëjnë opozitë, janë ‘të dyshuarit e zakonshëm’.

‘Të dyshuarit e zakonshëm’ nuk i ndan asgjë, në të kundërt i bashkojnë shumë gjëra.

Arjan Ndoj, i etiketuar si pjesë e bandës KÇK nga kryeministri, me lehtësinë që ka damkosur ‘kazan’ median dhe gazetarët psh, u gjend ‘zog’ i një prite në rrugën nacionale Tiranë-Durrës dhe përfundoi në një kanal në anë të rrugës, diku afër nënkalimit të Sukthit. Ndoj është pjesë e ‘të dyshuarve të zakonshëm’, jo vetëm për hir të kryeministrit, por edhe opozitës. Edhe eksponentët e saj e patën ‘targetuar’ prokurorin, dikur avokat të ‘të fortëve’ të Shqipërisë.

Ai mbetet megjithatë vetëm i dyshuar si objektiv i atentatit.

Ndoj ishte në makinë me Rumin, një persoanzh i ‘nënbotës’ së Durrësit për të cilin ka shumë dyshime, por asnjë provë apo padi zyrtare. Ndoshta mjafton fakti që ka ndërruar emrin katër herë si provë! Edhe Rumi është ‘i dyshuari i zakonshëm’.

Pak ditë pas atentatit, një tjetër ‘i dyshuar i zakonshëm’ u shfaq në raportet e Policisë: Redjan Rraja, një mjek nga Nikla me klinikë në Fushë-Krujë, ‘i gjendur’ në një tjetër atentat ku mbeti i vrarë Elton Çiço te Bar ‘de Niro’ në Bllok. Ai qëllon të jetë nipi i një tjetër ‘të dyshuari të zakonshëm’, deputetit socialist Rrahman Rrahja, të përfshirë në një sagë mediatike pas ‘rastit Xhinsela’ dhe pjesës së të birit në të.

Sipas Policisë Redjan Rrahja është i dyshuar si pjesëmarrës në rrethin e atentatorëve.

Gjithë kjo skenë e përshkruar nga faktet, emrat, ngjarjet, ditët dhe dramatizimi i tyre kriminal, e përmbyllur në një kanal anës rrugës te nënkalimi i Sukthit, nuk bën gjë tjetër veçse forcon idenë se vendi ku jetojmë dhe shteti, i cili është kujdestar i këtij vendi është banal. Riciklimi i ngjarjeve, emrave, pistave, dyshimeve, përfshirjes në to të njerëzve që i përkasin infrastrukturës së Republikës, në një mënyrë a në një tjetër kullon banalitet.

Në banalitet përzihet me qëdnrime jo serioze edhe ana tjetër e medaljes së shtetit, opozita. E cila, për qëllime dhe përfitime politike, ditën e parë nxjerr në pritë si atentator kryeministrin Rama dhe e ndërron padinë ditën e dytë kur kujtohet për Rumin, ushtarin e Ramës, ‘të fortin’ e zgjedhjeve, që gjendej në makinën e Prokurorit. Në rast se opozita nuk ka pasur në mendje ndonjë skenar hollivudian ku Rama i ka ‘paketuar’ të dy në një makinë me qëllim për t’i vrarë, në çdo rast tjetër ai duhet të shpallet fajtor vetëm për njërin ‘krim’: ‘heqjen qafe’ të Prokurorit, ose ‘lidhjen’ me gangon.

Kjo mungesë kthjelltësie, kjo babëzi akuzatore dëshmon se, nëse njëra anë e medaljes e ka humbur kontrollin e shtetit dhe mban vetëm pushtetin, ana tjetër ka humbur kontrollin e vetes në kërkim të pushtetit.

Drama e Shqipërisë është bash këtu: ka humbur kuptimi i shtetit. Shihet kanali ku ka rënë, diku në një kthesë idiote pranë nënkalimit të Sukthit, por nuk e nxjerrim dot prej andej. Duke qenë një gjë jofizike, nocioni i shtetit, serioziteti mbi të, nuk nxirret nga makina, nuk hipet në ambulancë, nuk dërgohet në spital, nuk mjekohet. Ai është (ose jo) në zemrën dhe idenë e atyre që vetëquhen politikanë.

Shumë prej tyre, në mos të gjithë, janë në atë kanal, bashkë me prokurorin, Rumin dhe ‘të dyshuarit e zakonshëm’.