Flash News

KRYESORE

Vlashent Sata nga Tirana në Bordo: Pedagogjia shqiptare e muzikës është katastrofë

-Jonida: Si ishte të jetoje në Bordo?

-Vlashenti: Kam shkuar në 2002 dhe e kam patur të veshtirë, sepse isha 19 vjeç dhe ishte një vend i ftohtë e borgjez, ndërkohë që në Tiranë kisha kaluar një fëmijëri shumë të bukur.

Brezi im në Tiranë kemi qenë brez artistësh, sepse shumica ose mbaronin Liceun ose Akademinë dhe kishim dell artisti. Shumë nga këta artistë na përfaqësojnë sot denjësisht nëpër botë.

Ishte koha kur unë fillova të krijoja këngët e para, koncertet e para nëpër mbrëmje të rëndësishme.

Ishte edhe koha kur kënga ime nuk u pranua në finalet e Festivalit te stinëve në RTSH, ndërkohë para pak muajsh isha në juri në këtë Festival.

Bordoja ishte një vend i ftohtë, sepse ka qenë nje vend skllavo-pronar dhe pasuritë e shumë brezave të sotshme atje janë nga tregtia e skllevërve para shume vitesh.

Vera dhe oqeani kanë qenë dy ''rifuxhot'' e mia kur ndihesha vetëm, shpeshherë jam ndjerë i vetëm atje.

Improvizimet e para në piano i nisa atje, dhe fillova të jap mësim shumë herët, që më rriti artistikisht dhe më mundësoi para për të blerë një makinë me të cilën vizitoja oqeanin.

-Jonida: Na fol pak për fëmijërinë në Tiranë!

-Vlashenti: Kam qenë një fëmijë i qeshur dhe i lumtur gjatë gjithë kohës dhe doja që çdokënd rrotull meje ta bëja të lumtur, dhe përherë ndihesha ose një fëmijë i vogël, ose një plak i madh në brendi.

-Jonida: Fakti që doje të krijoje një rrugë tënden në jetë ndryshe nga të tjerët u bë arsyeja e ikjes nga Shqipëria?

-Vlashenti: Po, kjo ishte një ndër arsyet.

Nuk mundem të jem dikush tjetër përveç vetvetes, ndaj e them që më vjen keq që muzika në Shqipëri nuk merr vlerën që meriton.

Jam rritur në një familje shumë të varfër, shpesh në shkollë vishja bluzën e sime motre kur asaj s’i bënte më.

Kur takoj sot shoqërinë e fëmijërisë më thonë: ''Sa ke ndryshuar'', unë u them: ''Ju keni filluar të ndryshoni sepse kur unë kërceja rrugve, qeshja me shoqërinë, e filja me të dashurën i çliruar nëpër rrugët e Tiranës, ju keni qenë ende të ndrydhur”.

Figura e femrës ka qenë e shenjtë në familjen time, ndaj femrave kam qenë pëherë protektiv sepse kam patur dy motra më të mëdha në shtëpi, dhe ma ka kultivuar babai kultin e femrës që i vogël.

Prindërit i kam patur fantastikë, babai nuk e ka njohur mamanë e vet dhe ndaj ka qenë mjaft i dashur, i kuptueshëm ndaj mamit dhe motrave.

Mamaja është shumë aktive, pozitive dhe mendjehapur, cilësi të cilat ua trashëgoi motrave dhe mua.

Në shkollë kam qenë pianist i muzikës klasike, shkruaja dhe këndoja këngë pavarësisht gjykimit që ''Nëse bën muzikë klasike nuk bën dot muzikë tjetër''.

Nuk kam qenë më i miri në Lice, por kam qenë shume i talentuar, dhe kjo ka qenë pengesë për mua, talenti.

Pedagogjia shqiptare ka qenë katastrofë kur vjen puna te zhanri i muzikës që studioja unë, shumë pak me ndihmuan.

Kur studiova për pedagogji në Francë e kuptova këtë gjë, sesa të papërgatitur kanë qenë pedagogët shqiptarë.

-Jonida: Në album kënga ''Bab'' është më rrëqethësja?

-Vlashenti: Ia kam dedikuar tim eti, të cilin e kam më shumë se baba.

Është nje tenor i talentuar i cili po të dilte jashtë Shqipërisë do kishte sukses të jashtëzakonshëm, është 82 vjeç dhe akoma shkruan, lexon, kërkon në bibliotekë.

Ia dedikoj atij këngën sepse më mungon kur e kam edhe afër, këtë këngë për herë të parë ia këndova mamasë sepse menduam që do ishte emocion i fortë për babain.

Atij ia ka kënduar në ''Skype'' pasi kaloi pak kohë dhe sytë iu mbushën me lot qëkur fillova t'ia këndoj.

Do i bëja këngë përditë, sepse kur ishte ftohtë në shkollën time me xhama të thyer, pas pune vinte studionte me mua dhe mbi një ngrohëse të vjetër theknim edhe bukën që do hanim ndërkohë.

Ndaj kam frikë të bëhem baba, sepse mund të mos i ngjaj tim eti.

*Intervista është marrë për emisionin "Thurje" në kanalin T në Digitalb. Intervistoi: Jonida Vokshi. Gazetar: Klisman Byku.

 

Të fundit