Flash News

KRYESORE

‘Zgjedhorja’/ Bindi PS-PD, por Yuri Kim "dështon" me opozitën parlamentare, Murrizi: Do votojmë kundër marrëveshjes

‘Zgjedhorja’/ Bindi PS-PD, por Yuri Kim "dështon" me

Ka përfunduar takimi i opozitës parlamentare me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim në rezidencën e SHBA.

Pas takimit, deputeti dhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi tha se i shprehën ambasadores qëndrimin e tyre të kahershëm se opozita parlamentare do të votojë kundër, për shkak të përjashtimi nga marrëveshja i listave të hapura, administratës zgjedhore dhe votës së emigrantëve.

“I thamë nuk votojmë asnjë pazar të dosjes 184 të Vasilit dhe militantëve, kërkojmë lista të hapura, ndryshe nuk votojmë.

Nuk e mora vesh se çfarë kërkoi ambasadorja, nuk i lamë hapësirë kërkesave të saj, por shkuam të shprehim qëndrimin tonë, nuk votojmë asgjë në parlament jashtë asaj që kërkuam prej 15 muajsh: administratë zgjedhore, lista të hapura dhe votë emigrantësh”, u shpreh Murrizi.

Takimi u thirr nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim një ditë pas marrëveshjes konsensuale për Reformën Zgjedhore.

Në takim ishin të pranishëm deputetja Rudina Hajdari, deputeti Ralf Gjoni dhe tre krerët e grupeve parlamentare, Myslim Murrizi i grupit demokrat, Edmond Stojku i grupit “Demokraci dhe Drejtësi”, si dhe Nimet Musai i grupit të Pavarur.

Dy ditë më parë, opozita parlamentare i ka dërguar një letër ambasadores së SHBA dhe ambasadorit Luigi Soreca, ku shprehnin indinjatën për përjashtimin e tyre nga procesi zgjedhor.

Grupi opozitar i Parlamentit, shprehej se ndjehen të fyer që janë përjashtuar nga negociatat për përjashtimin e sistemit.

Në letër thuhej se ishin të gatshëm të japin konsensusin e tyre që të arrihet marrëveshja për Reformën Zgjedhore, ndërsa shtonin se po u vijua me përjashtim nuk do të bëhen kartonë për shumicën.

Kujtojmë se për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor kërkohet një votim me shumicë të cilësuar, pra minimalisht 84 vota, ndërsa mazhoranca ka në parlament 78 vota pro.

Në kushte, duket se SHBA vijon negociatat për të bindur deputetët e opozitës parlamentare për të votuar reformën zgjedhore konsensuale të nënshkruar mbrëmë mes 4 palëve të Këshillit Politik, por duket se nuk ja ka dalë dot.

 

Të fundit