Flash News

SPORT

Gati oferta prej 29 milionë eurosh, ylli shqiptar mes Barcelonës dhe Leipzigut

fisnik-asllani_sd.webp

Merkatoja e Barcelonës mund të pësojë një kthesë të papritur, teksa e ardhmja e Yan Diomandé mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e sulmuesit shqiptar të Hoffenheimit, Fisnik Asllani.

Sipas AS, RB Leipzig e sheh Asllanin si kandidatin kryesor për të zëvendësuar Diomandén, nëse sulmuesi i talentuar largohet drejt Real Madridit. Negociatat mes klubit madrilen dhe Leipzigut thuhet se janë avancuar, çka mund ta shtyjë skuadrën gjermane të veprojë shpejt për shqitarin e Kosovës.

Leipzigu është gati të paguajë klauzolën e lirimit prej 29 milionë eurosh për 23-vjeçarin, duke e bërë situatën edhe më urgjente për Barcelonën.

Katalanasit e kanë piketuar Asllanin si një alternativë për Ferran Torres, por ende nuk kanë bërë një ofertë zyrtare. E ardhmja e Torresit mbetet e pasigurt, pasi kontrata e tij skadon pas një viti dhe për të interesohen Paris Saint-Germain dhe Atlético Madrid.

Në këtë situatë, Asllani thuhet se është i hapur ndaj transferimit te Leipzig, por nuk dëshiron të marrë një vendim përfundimtar pa parë nëse Barcelona do të bëjë një lëvizje konkrete për të.

Sulmuesi kosovar vjen pas një sezoni shumë pozitiv me Hoffenheimin, ku në 35 ndeshje shënoi 11 gola dhe dha 8 asistime, duke tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve të njohura europiane.

Por Leipzig nuk dëshiron të presë gjatë. Klubi gjerman synon të mbyllë marrëveshjen me Asllanin sa më shpejt, veçanërisht nëse transferimi i Diomandés te Real Madridi merr formë përfundimtare.

Të fundit