Flash News

Ditari i Opozitës

Gjekmarkaj: Shqipëria ka nevojë për siguri, por jo për një Parlament që shërben si zyrë vulosjeje

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen, duke deklaruar se Partia Demokratike e mbështet atë, por kundërshton mënyrën se si, sipas tij, qeveria e Edi Ramës e ka kaluar në Parlament.

Në një deklaratë publike, Gjekmarkaj thekson se orientimi euroatlantik është themeli i politikës kombëtare të PD-së dhe se marrëdhënia strategjike me SHBA-në është e paprekshme.

‘Ne jemi pro marrëveshjes me SHBA-në, sepse ajo lidhet me sigurinë e vendit, me Aleancën e NATO-s dhe me interesin jetik të shqiptarëve’, shprehet Gjekmarkaj

Ai akuzon Edi Ramën se ka vepruar në mënyrë arrogante dhe antikushtetuese gjatë procedurave parlamentare, duke pretenduar se deputetët janë detyruar të votojnë pa pasur në dispozicion dokumentacionin e plotë.

Sipas tij, një Parlament serioz nuk mund të funksionojë si një institucion që vetëm miraton vendimet e qeverisë.

Deklaratë e nënkryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj:

Shqipëria nuk mund të jetë kurrë kundër forcimit të mbrojtjes së saj dhe kundër marrëdhënies së shenjtë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Partia Demokratike e ka dëshmuar me vepra se orientimi euroatlantik është themeli i politikës së saj kombëtare.

Ne jemi pro marrëveshjes me SHBA-në, sepse ajo lidhet me sigurinë e vendit, me Aleancën e NATO-s dhe me interesin jetik të shqiptarëve. Por jemi kundër mënyrës arrogante dhe antikushtetuese me të cilën Edi Rama e kaloi  atë në Parlament, duke detyruar  deputetëve të votojnë pa pasur në dispozicion dokumentet dhe pa respektuar procedurat që garanton Kushtetuta.

Një Parlament serioz nuk është një zyrë vulosjeje për urdhrat e qeverisë. Deputeti nuk mund të votojë mbi të panjohurën. Respekti për aleatët tanë nuk tregohet duke shkelur rregullat e shtetit, por duke dëshmuar se Shqipëria është një demokraci funksionale dhe një partner i denjë.

Partisë Demokratike askush nuk mund t’i japë leksione për Perëndimin dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte kjo forcë politike, nën drejtimin e Sali Berishës, që e çoi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO dhe e vendosi përfundimisht vendin në familjen euroatlantike. Ishte PD ajo që hapi rrugën e rikthimit të Shqipërisë në Perëndim dhe të forcimit të miqësisë historike me SHBA-në.

Sot, ne mbështesim çdo hap që forcon sigurinë kombëtare, por kërkojmë që edhe shteti të trajtohet me seriozitet. Nuk mund të kërkohet sakrificë nga qytetarët dhe investim për mbrojtjen, ndërkohë që miliona euro humbasin në korrupsion dhe në afera që kanë dëmtuar rëndë financat publike.

Nëse paratë e shpërdoruara në aferat e inceneratorëve dhe në raste të tjera abuzimi do të ishin mbrojtur nga shteti dhe jo grabitur nga korrupsioni, Shqipëria do të kishte pasur shumë më herët mundësi të përmbushte objektivat financiare të kërkuara nga NATO për mbrojtjen.

Siguria kombëtare nuk ndërtohet vetëm me marrëveshje, por edhe me shtet ligjor, me institucione të forta dhe me përgjegjësi ndaj çdo qindarke të taksapaguesve shqiptarë.

Prandaj qëndrimi ynë është i qartë: po aleancës me SHBA-në, po NATO-s, po forcimit të mbrojtjes së Shqipërisë, por jo shkeljes së Kushtetutës dhe kthimit të Parlamentit në një fasadë të pushtetit.

Të fundit