Flash News

Bota

Studimi: Hungaria e Viktor Orban, qeveria më ‘e qëndrueshme’ në BE

Studimi: Hungaria e Viktor Orban, qeveria më ‘e

Hungaria, ku Fidesz i Viktor Orban ka qenë në pushtet pandërprerë që nga viti 2010, është qeveria më 'e qëndrueshme' në BE, sipas një analize të re.

Të dhënat e mbledhura nga Pantarhei, një konsulencë menaxhimi me bazë në Vjenë, e rendit Hungarinë në krye të 'indeksit të paqëndrueshmërisë së BE-së', e ndjekur nga Qiproja, Lituania, Luksemburgu dhe Gjermania, raporton Euractiv.

Spanja, Bullgaria dhe Italia, të cilat të gjitha kanë parë një kombinim koalicionesh të dobëta dhe ndryshime të rregullta në qeveri gjatë viteve të fundit, janë renditur si më të paqëndrueshmet në BE.

Indeksi bazohet kryesisht në atë se sa parti janë në qeveri dhe sa ndryshime në administratë kanë ndodhur gjatë dy mandateve të fundit parlamentare.

Dominimi politik i Orbanit në Hungari ka bërë që partia e tij të fitojë shumicën vendimtare, me dy të tretat e parlamentit në katër zgjedhjet e fundit të përgjithshme që ngulitën modelin e tij joliberal të demokracisë.

Megjithatë, javën e kaluar Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që thoshte se Hungaria ishte bërë një regjim hibrid i autokracisë zgjedhore dhe nuk mund të konsiderohej më një demokraci e plotë.

Diku tjetër, analiza e Pantarheit sugjeron se qeveritë në të gjithë bllokun kanë vështirësi të mbijetojnë për një mandat të plotë. “Kjo ka rezultuar në një gjendje në dukje të përhershme të fluksit, me partitë pothuajse vazhdimisht në modë zgjedhore. Dhe kjo kufizon aftësinë e tyre për të dhënë përgjigje për pyetje të rëndësishme dhe urgjente politike,” thuhet në të.

Analiza e Pantarheit argumenton se qeveritë kombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme kanë ndikuar në vendimmarrjen e BE-së, duke e bërë më të lehtë bllokimin e propozimeve nga shtetet anëtare, por më të vështirë për Këshillin e Ministrave që të arrijë qëndrime të përbashkëta, duke ia lënë iniciativën politike Komisionit Evropian.

Të fundit