Flash News

E-TJERA

Pas 6 ditësh në flakë e tym toksik, shuhet zjarri në landfillin e Elbasanit

Pas 6 ditësh në flakë e tym toksik, shuhet zjarri në

Gashtë ditë pas flakëve aktive dhe tymit toksik, zjarri në landfillin e Elbasanit është drejt shuarjes .

Bashkia Elbasan njofton se 95% e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga avuj dhe gazra të mbetur nga materialet e djegura dhe uji i përdorur për fikje.

“Është dita e gjashtë e luftës që bëjmë bashkërisht, bashkë me zjarrfikësit e Elbasanit, zjarrfikësit kombëtarë, emergjencat civile, forcat e ushtrisë, si edhe me kompanitë private që operojnë në Elbasan, të cilat kanë dhënë një dorë të mirë në fikjen e zjarrit,” deklaroi kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja për mediat.

Më tej, ai shtoi se është bërë një punë e madhe dhe vatra fillestare tashmë është e izoluar: “Ne mendojmë se e kemi vënë në kontroll. Është akoma vatra fillestare, e cila, siç shihet pas nesh, vazhdon dhe shkrin. Besoj se do të vazhdojë edhe dy ditë, por gjithçka është e izoluar. Ka vetëm gaz dhe avull, për shkak të ujit të tepërt që është hedhur në landfill.”

Llatja gjithashtu falënderoi të gjitha strukturat për angazhimin dhe përpjekjet e pandërprera

Unë dua të falënderoj zjarrfikësit, forcat e mbrojtjes, ushtrinë, të gjithë ata që kanë kontribuar në vënien nën kontroll të situatës në landfillin e Elbasanit. Kemi bërë përpjekje maksimale. I gjithë stafi i emergjencave civile ka qenë këtu që në momentin e parë dhe deri më sot jemi në dispozicion pa orare, në bashkëpunim edhe me ASHP-në, ndërmarrjen publike të Bashkisë së Elbasanit, por edhe me zjarrfikësit e qarqeve të tjera Fier, Berat, Kamëz, Tiranë, të cilët na janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve.”

Duke folur për gjendjen aktuale në terren, kreu i bashkisë bëri të ditur se nuk ka më vatra të reja dhe as përhapje të vatrave ekzistuese. Ai theksoi se punimet për kapsulimin e mbetjeve të ekspozuara ndaj agjentëve natyrorë do të vijojnë deri në eliminimin e plotë të rrezikut.

Në fund, Llatja bëri edhe një apel publik dhe një ndjesë për qytetarët.

“Duam t’i bëjmë apel të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Elbasanit por të gjithë Shqipërisë, zjarret zakonisht vijnë ose nga pakujdesia, ose nga zjarrvënia e qëllimshme. Edhe një zjarr i vogël për nevoja bujqësore mund të sjellë një katastrofë. Ndërkohë, dua të kërkoj ndjesë për ndotjen dhe tymin që është përhapur ditët e fundit. Kemi qenë në terren pa ndalim dhe do të qëndrojmë këtu deri në përfundimin e plotë të operacionit.”

Të fundit