Flash News

OPINEWS

Nëna shqiptare e dashurisë

Nëna shqiptare e dashurisë

Ndue Ukaj

Në historinë njerëzore ka filozofë që kanë dhënë mendime të tejkoshme për njeriun dhe ekzistencën e tij, shkencëtarë që kanë bërë zbulime marramendëse dhe kanë përcaktuar kahet e zhvillimit në Tokë, artistë që kanë krijuara vepra mahnitëse e të pavdekshme, shkrimtarë kolosalë që kanë ditur në mënyrë mjeshtërore të hulumtojnë ekzistencën njerëzore dhe të shkruajnë për bukurinë apo pikëllimin e jetës, heronj e udhëheqës titanë që kanë zhvilluar beteja të mëdha politike e ushtarake.

Njerëzimi njeh Platonin e Aristotelin, Homerin e Virgjilin, Danten e Shekspirin, Gëten e Balzakun, Dosjtojevskin e Muxartin, njeh edhe shumë e shumë të tjerë që me veprat mahnitëse e kanë bërë botën më të bukur, më të qartë dhe më të kuptueshme.

Por vështirë është të gjesh një rast të dytë në botë - që një njeri, një grua - po Një Grua të ketë përvetësuar zemrën e njerëzimit dhe të jetë pagëzuar me emrin më të ëmbël: nënë.

Kjo është Nëna Terezë, unik, e cila, ashtu siç pohon shkrimtari Visar Zhiti siç dukej e përsëdyti Krishtin në tokë. Po - siç shkruan Zhiti “siç dukej Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, na pëlqen të mendojmë dhe zgjodhi një grua për barazi.”

Po, Gonxhja e re që thotë një lamtumirë të pikëlluar Nënës Drane në Shkup, përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e trazimeve të forta ideologjike, të luftërave e të përplasjeve të pamëshirshme, në shekullin e egërsisë, kthehet në Nënë për gjithë njerëzimin; nënë për gjitha kombet, gjuhët, fetë, shtresat sociale.

Nëna e dashurisë - e vlerësuar kështu nga Don Lush Gjergji, biografi më i shquar i saj dhe autori më meritor pse sot ajo është e njohur botërisht si shqiptare, Gonxhja e Prizrenit, Shkupit e Gjakovës, Shkodrës – gruaja e imtë e me zemër të madhe - përgjatë jetës së saj tokësore e ndërtoi një perandori të pafund të dashurisë për njeriun, ku i bëri të papërfillshëm kufijtë, dallimet.

Dhe sot ajo për popullin shqiptar është engjëlli rojës dhe njëra prej vlerave me sublime, që tashmë është gdhendë në historinë tonë kombëtare dhe në atë universale.

Duke u lutur, duke vepruar dhe duke e parë në secilën qenie njerëzore Jezusin, Nëna Tereze la testamentin madhështor të dashurisë; na mësoi ta duam jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë, dhe me ta krijoi një simfoni të shpresës, një himn të dashurisë dhe të solidaritet njerëzor.

Dhe vërtet dukej sikur bota kishte uri për gjëra të tilla e për një Grua të tillë, për një shkollë të tillë, për një mësim të tillë, për përsëdytjen e Krishtit dhe mishërimin e tij në një grua, për t’i treguar botës se dashuria është vlera më sublime që kemi dhe se me të mund ta ndryshojmë botën për të mirë, mund t’i zbusim dhimbjet dhe t’i rrisim kufijtë e gëzimit.

Nëna shqiptare e dashurisë në faqet e historisë së njerëzimit gdhendi me shkronja të arta emrin shqiptar, duke e pohuar vetë, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, kur tha: “Me gjak jam shqiptare”. E këto fjalë tingëlluan si kambana të paralajmërimit të një përlindje e të një meshe të madhe të dashurisë.

Ajo ka treguar me vepra paqe dhe dashurie se drita përherë e mund errësirën, ashtu siç e mira e mund të keqen.

Ajo e ka kuruar të keqen vetëm me dashuri dhe dhembshuri, prandaj sot është personaliteti më shembullore i kohës sonë, nënë dhe shenjte e dashurisë dhe humanizmit.

Gonxhja jonë është lule e bukur në kopshtin tonë kombëtar dhe shtylla ma fisnike e ma sublime e identitetit tonë kombëtar, një gurrë frymëzimi për të sotmen e të nesërmen.

Shkolla e saj është dritëdhënëse dhe një trashëgimi e pasur dashurie që ka kapacitete të pafund për t' i kuruar plagët e njerëzimit dhe të kombit tonë, ato plagët e së kaluarës, të mosdurimit, përbuzjes së tjetrit, urrejtjes e ndarjes.

E neve - si pakkujt - na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, ta shuajmë etjen në këtë krua të gjallë e të marrim energji për të mirën tonë dhe të njerëzimit.

Këshillat e saj të thjeshta dhe shumë domethënëse, janë thesare ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë dhe në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës.
Ja një nga to:
“Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos
më thuaj se njerëzit veniten nga
uria. Mos më thuaj
se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos
më thuaj se njerëzit gërgasin
dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

...
Nëna Terezë si vajzë e re kishte ndie një thirrje e udhëhiqej nga një yll qiellor, ngjashëm si ata dijetarët në tregimet biblike dhe shkoi për ta takuar Krishtin, jo në Bethlehem, në katedrale, por në Kalkutë; tek të varfëritë, e prej aty, kudo në botë. Dhe rrugëtimi i saj s’u ndal kurrë.

Më urti, përkushtim, ajo trandi themelet e një bote të egërsuar dhe egoiste  në të cilën dashuria tingëllonte si një nocion abstrakt.

Dhe përditë, me vepra të mëshirës, tregoi se bota mund të drejtohej me dashuri dhe se dashuria ishte e vetmia fuqi që mund të transformonte botën në mënyrë pozitive. Dhe ajo e bëri një gjë të tillë.

Po, Nëna Terezë dëshmoi me shumësi veprash të jashtëzakonshme e të pakapshme për mendjen njerëzore, se jeta vërtet është dashuri. Ajo e përjetoi jetën si dashuri, e atë ia dhuroi botës me dashuri, duke e bërë fuqinë e saj të rrezatojë kudo e kurdo, madje edhe nën rrebeshin e armëve e ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës s’mund të depërtonte.

Njeriu si qeni shoqërore është i lidhur dhe bashkëjeton me ngjarje, fenomene dhe personazhe të rëndësishëm. Ai është i lidhur me figura universale e kombëtare, me të cilat identifikohet e nga të cilat frymëzohet. Kësisoj është puna edhe me kombet, të cilat gjallojnë nga këso shtresimesh. Për shqiptarët, Nëna Terezë është simbol i krenarisë kombëtare, një shembull që s’e ka bota, një model që ka shënjuar kohë dhe ka hyrë përjetësisht në panteonin e vlerave bipolare, Tokë e Qiell. Andaj është fat i madh t’i takosh kombit të një njeriu që ka shënjuar kohën, shekullin, dhe ka shkulë me themel teori e doktrina që mjerueshëm thonë se bota mund të drejtohet vetëm nga një aksh ide, nga një perandori e armatosur, me pushtet, para e fuqi.

Nënës Tereza e ka provuar të kundërtën se ”dashuria mund ta shpëtojë botën”.

Nëna Tereze s’ishte vetëm një edukatore, një murgeshë e përkushtuar pas të varfërve, një solidare e jashtëzakonshme e një misionare e Zotit. Ajo ishte edhe një poete, një mendimtare e jashtëzakonshme, e cila i la botës trashëgimi, vargje/uratë që ngërthejnë një filozofi mahnitëse të urtisë dhe magjisë së fjalës. Poezitë e saj si: Jeta, S’ka rëndësi, Koha, etj., janë perla, një shëmbëllim i fuqishëm i artit të madh.
Çdo fjalë e varg i  saj shërben si ilaç për t’i kuruar e shëruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti.

...
Nëna Terezë ka një lidhje të pashkëputshme me shqiptarët, me atdheun e saj autentik, të cilin e mbajti në zemër. Ajo vizitoi disa herë Kosovën dhe pas rënies së komunizmit edhe Shqipërinë. Ajo lutej në gjuhën e nanës së saj Dranës, dhe lutej për kombin shqiptar. Ajo gëzohej kur dëgjonte se shqiptarët e Kosovës po ia shtrinin njëri - tjetrit dorën e pajtimit gjatë pajtimit të gjaqeve.
Ajo në Oslo e lartësoi emrin shqiptar.
Ajo në Nju York e lartësoi emrin shqiptar.
Ajo në Uashington e lartëso emrin shqiptar.
Ajo kurdo e kudo iu lut presidentëve e shefave të botës që të kujdeseshin për popullin e saj, që e kishte mbërthyer ora e ligë.

Ajo jetoi në kohën e duhur - si engjëll i rojës për kombin tonë - për ta ndihmuar atë të dilte nga nata e zezë e ora e ligë.

Vlen të përmendet se që prej vitevetë 80-ta, ajo është bërë pjesë e jetës kulturore, sidomos në Kosovë. Për të shkroi Don Lush Gjergji dhe përmes tij, ajo hyri në çdo shtëpi shqiptare.

Kurse gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova përjetonte terror e ishte në një kalvar të vërtetë, lëvizja politike e kohës e udhëhequr nga projektuesi e ati i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, gjeti te Nëna Tereze modelin e frymëzimit, gjë që bëri ajo me plot të drejtë të quhej lëvizje tereziane.

E në këtë ditë dua ta kthej në vëmendjen tuaj atë që thoshte Ibrahim Rugova për Nanën tonë: "Populli i Kosovës dhe i gjithë populli shqiptar, sot është krenar para botës me Nënën Tereze, me Nënën e vet. Nëna Tereze është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar."

Duke qenë shqiptare dhe universale, pra e tokës sonë dhe e krejt botës, Nëna Tereze natyrshëm është pjesa më ballore dhe më sublime e identitetit tonë dhe njëkohësisht lidhja më fortë më vlerat më fisnike universale. Kjo s’është kurrfarë mburrje, por vetëm një dëshmi e një popull fisnik.
Prandaj është koha që në tryezën tonë, ta shtojmë ushqimin që jep shkolla e Nënës Tereze.

Të fundit