Flash News

Bota

Alarmi nga Ebola/ Shefi i OBSH-së zbarkon në epiqendrën e virusit në Kongo

Alarmi nga Ebola/ Shefi i OBSH-së zbarkon në epiqendrën e virusit

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vizitoi këtë të shtunë provincën Ituri në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, zona më e prekur nga shpërthimi i fundit i virusit Ebola.

Vizita e kreut të OBSH-së vjen në një moment kritik, ndërsa autoritetet shëndetësore po përballen me një përhapje të shpejtë të virusit, që sipas ekspertëve po ecën më shpejt se kapacitetet aktuale të reagimit në terren.

Tedros pritet të zhvillojë takime me autoritetet lokale, personelin mjekësor dhe familjet e prekura në qytetin Bunia, kryeqendra e provincës Ituri. Ai deklaroi se fokusi kryesor mbetet mbështetja e plotë për zonat ku epidemia është më aktive, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin lokal për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Sipas të dhënave të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri tani janë raportuar mbi 1 mijë raste të dyshuara dhe të paktën 246 viktima në Republikën Demokratike të Kongos. Ndërkohë, raste janë konfirmuar edhe në Ugandën fqinje, ku autoritetet kanë raportuar disa të infektuar dhe një viktimë.

OBSH-ja bëri me dije gjithashtu se një pacient i infektuar është shëruar plotësisht dhe ka dalë nga spitali pas dy testeve negative, rasti i parë i rikuperimit të konfirmuar gjatë këtij shpërthimi.

Situata në lindje të Kongos mbetet e vështirë edhe për shkak të konflikteve të armatosura dhe mungesës së shërbimeve bazë shtetërore. Provinca Ituri dhe zonat përreth përballen prej vitesh me dhunë nga grupe të armatosura, ndërsa miliona persona jetojnë në kampe të mbipopulluara, ku kushtet e dobëta higjienike rrisin rrezikun e përhapjes së epidemisë.

Frika për përhapjen ndërkufitare të virusit ka detyruar Ugandën dhe Ruandën të mbyllin kufijtë me Kongon, ndërsa Uganda ka vendosur karantinë 21-ditore për personat që hyjnë nga territori kongolez. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar masat, duke kufizuar hyrjen për udhëtarët jo-amerikanë që kanë vizituar së fundmi Kongon, Ugandën apo Sudanin e Jugut.

Ebola mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse infektive në Afrikë, duke shkaktuar mbi 15 mijë viktima gjatë pesë dekadave të fundit.

Të fundit