Flash News

Bota

Tension në Rumani pas incidentit me dron, Bukureshti mbyll konsullatën ruse

Tension në Rumani pas incidentit me dron, Bukureshti mbyll konsullatën

Situata në Rumani është përshkallëzuar ndjeshëm pas një incidenti të rëndë në qytetin e Galatit, ku një dron që dyshohet se është i origjinës ruse është rrëzuar mbi një zonë banimi, duke shkaktuar plagosjen e dy personave dhe dëme materiale në një pallat apartamentesh.

Autoritetet rumune e kanë cilësuar ngjarjen si një shkelje serioze të sigurisë kombëtare, ndërsa Presidenti Nikușor Dan ka drejtuar gishtin drejtpërdrejt nga Rusia, duke e bërë përgjegjëse për incidentin.

“Përgjegjësia e plotë i takon Rusisë, një shtet që prej më shumë se katër vitesh zhvillon luftë agresive kundër Ukrainës”, deklaroi ai pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare.

Si reagim, Bukureshti ka ndërmarrë masa diplomatike ndaj Moskës, duke shpallur “non grata” konsullin e përgjithshëm rus në Konstancë dhe duke urdhëruar mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në qytet.

Sipas autoriteteve rumune, droni i rrëzuar është identifikuar si një model ushtarak “Geran-2”, i përdorur në luftën në Ukrainë. Hetimet paraprake tregojnë se mjeti fluturues ka qenë pjesë e një grupi prej 43 dronësh, ku vetëm një prej tyre ka devijuar dhe ka hyrë në hapësirën ajrore rumune.

Nga ana tjetër, Moska ka reaguar menjëherë, duke hedhur poshtë përgjegjësinë dhe duke paralajmëruar kundërmasa. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se “kundërmasat nuk do të vonojnë”, duke rritur më tej tensionet diplomatike mes dy vendeve.

Të fundit