Flash News

Bota

Vala e të nxehtit godet Evropën Perëndimore, Franca regjistron 7 viktima

Vala e të nxehtit godet Evropën Perëndimore, Franca regjistron 7

Një valë e pazakontë të nxehti që ka përfshirë Evropën Perëndimore ka shkaktuar deri tani shtatë viktima në Francë, ndërsa temperaturat rekord të regjistruara në fund të majit po alarmojnë autoritetet në disa vende europiane.

Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, deklaroi se viktimat lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me temperaturat ekstreme, ndërsa pesë prej rasteve fatale kanë ndodhur si pasojë e mbytjes.

Temperatura rekord janë regjistruar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Zyra Meteorologjike britanike raportoi se në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës, termometri arriti në 34.8 gradë Celsius, niveli më i lartë i matur ndonjëherë në muajin maj.

Edhe Spanja vijon të përballet me vapë ekstreme, ku në disa rajone temperaturat pritet të luhaten mes 36 dhe 40 gradë Celsius deri në fund të javës. Shërbimi meteorologjik Aemet paralajmëroi se zonat e luginave Guadiana, Guadalquivir dhe Ebro do të jenë më të goditurat nga i nxehti.

Në Itali, autoritetet në rajonin e Lacios, ku përfshihet edhe Roma, kanë vendosur kufizime për punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke prekur sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe shpërndarjes.

Sipas meteorologëve, temperaturat në Francë, Spanjë dhe Britani po qëndrojnë deri në 12-13 gradë mbi normat sezonale, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zgjasë edhe për disa ditë të tjera.

Të fundit