Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama shpërthen në mbledhjen me dyer të mbyllura. Kërcënon Spiropalin me përjashtim pas kritikave ndaj PS-së

Rama shpërthen në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar me dyer të mbyllura në Pallatin e Brigadave dhe me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit, është shoqëruar me një debat të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali.

Burimet për Politiko bëjnë me dije se Rama e ka kërcënuar Spiropalin se do ta përjashtojë, duke i përmendur dhe postimet në rrjetet sociale të kësaj të fundit, nëse vijon me kritika ndaj PS-së.

“ Herën  e parë, nuk votove, herën e dytë, bere kritika në Facebook, herën e tretë do dalësh nga grupi i PS.

Nuk dua drama në Ps, nuk duhet të krijohen situata të tilla. Ose me ne ose përballë nesh."

Gjatë diskutimeve, po ashtu kryeministri Edi Rama ka kërkuar rritjen e angazhimit në terren, me fokus te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi nevojën për intensifikimin e takimeve, por edhe për përforcimin e mesazheve në rrjetet sociale. Sipas Ramës, vëmendja duhet të përqendrohet veçanërisht te çështjet që lidhen drejtpërdrejt me sfidat e integrimit, duke veçuar sigurinë ushqimore si një nga prioritetet kryesore.

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal gjithashtu te nevoja për rienergjizimin e anëtarësisë së Partisë Socialiste, duke kërkuar një rol më aktiv të strukturave në funksion të objektivave politike dhe integruese të vendit.

 Kujtojmë se pjesëmarrja e Spiropalit në takim vjen pas një seri akuzash që i ka adresuar kryeministrit.

Ajo shprehu kritika për modelin qeverisës të Ramës duke deklaruar se PS po kthehet në një “drejtorokraci”, ku institucionet orientohen nga dora e një personi të vetëm.

“Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, deklaroi asokohe Spiropali.

 

Të fundit