Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha akuzon qeverinë për ADS: Rama ka hequr kufijtë e vjedhjes, kapitali shtetëror shkon tek privatët pa tenderim

Berisha akuzon qeverinë për ADS: Rama ka hequr kufijtë e

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me krijimin dhe funksionimin e kompanisë Albanian Digital Solutions (ADS), duke e cilësuar atë si një mekanizëm që, sipas tij, i hap rrugë përdorimit të fondeve publike jashtë procedurave të tenderimit.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ngritja e kësaj shoqërie lidhet me ndryshime ligjore në fushën e shërbimeve dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit, të cilat sipas tij i japin hapësirë të gjerë bashkëpunimit të AKSHI-t me kompani shtetërore ose shoqëri ku shteti zotëron shumicën e aksioneve.

Berisha tha se përmes këtyre ndryshimeve dhe mënyrës së organizimit të ADS-së, kapitali shtetëror mund të kanalizohet drejt subjekteve private pa kaluar përmes procedurave të hapura të prokurimit.

Berisha: AKSHI mund të bashkëpunojë me shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51 përqind të aksioneve si dhe t’u kalojë atyre në administrim sisteme, platformë ose infrastrukturë TIK ose t’i ngarkojë për zhvillime dhe operime nga fillimi. Në çdo rast, kompetencat mbeten tek AKSHI.

Ndryshimet ligjore janë propozuar me 11 shkurt nga deputeti Erion Xhepi, Erion Malaj. Keni parë ju, një deputet merr përsipër të propozojë, se nuk ka qeveri, nuk ka asgjë, amendime me implikacione me pasoja të thella financiare, transparence dhe të gjithanshme. Dhe meqenëse mbron interesat e klanit të Surrelit, votohet symbyllas. Asnjë konsultë, asgjë.

Shoqëria, brenda kufijve që i lejon legjislacioni në fuqi kryen çdo operacion tregtar dhe financiar që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me objektin e saj. Kjo përfshin gjithashtu hapjen e veprimtarive dhe krijimin e shoqërive të reja dhe pjesëmarrjen në kapitalin e shoqërive të tjera brenda dhe jashtë vendit. Kjo pra ka autoritet të veprojë në mënyrë të pavarur pa pasur asnjë bazë ligjore. Kjo kompani shtetërore i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtaritë e saj.

Kjo pikë e nenit të statutit të kësaj shoqërie është thuajse e njëjtë me nenin 3 dhe është marrë nga statuti i shoqërisë KAYO, të cilës i është dhënë e drejta të kanalizojë kapitalin shtetëror tek privatët pa tenderim. E kuptoni ju mënyrat që ka gjetur Edi Rama të vjedhë tani? Merr këto paratë, çoji në bankat offshore.

Të fundit