Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: PD është në kilometrin e fundit drejt pushtetit

Berisha: PD është në kilometrin e fundit drejt pushtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Kuvendin Kombëtar se besimi te fitorja ka qenë shtysa kryesore që e ka udhëhequr në betejën politike të viteve të fundit, ndërsa vlerësoi qëndresën e demokratëve përballë sfidave me të cilat, sipas tij, është përballur opozita.

“Nuk do merrja kurrë përsipër t’ju drejtoja ju po të mos besoja tek fitorja”, tha Berisha, duke shtuar se ky besim buron nga guximi, vendosmëria dhe atdhetaria e demokratëve.

Kreu i PD-së u shpreh se partia ka kaluar një rrugëtim të vështirë, duke u përballur me qeverinë, mediat pranë saj dhe grupet kriminale, por sipas tij tashmë opozita nuk ndodhet më në mbrojtje.

“Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecim drejt fitores”, deklaroi ai.

Berisha tha se sfida kryesore e demokratëve në këtë fazë është ripërtëritja e Partisë Demokratike, të cilën e cilësoi si një proces jetik për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për ndryshimin e vendit.

“Ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë madhështore. Duhet të jetë vepra jonë për të ripërtërirë nesër Shqipërinë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha mbrojti edhe programin politik të PD-së, duke renditur si arritje të së djathtës anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e vizave, Rrugën e Kombit dhe integrimin në institucionet europiane.

Sipas tij, demokratët kanë vizionin dhe programin për të realizuar objektiva edhe më të mëdha në të ardhmen, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të minimizojë alternativën e opozitës.

 

Të fundit