Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha përshëndet aleatët ndërkombëtarë: Siç rrëzuam diktaturën 35 vite më parë, do përmbysim edhe Edvin Ballukun

Berisha përshëndet aleatët ndërkombëtarë:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur të ftuarit ndërkombëtarë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të PD-së, duke vlerësuar mbështetjen e partive simotra dhe miqve të demokratëve shqiptarë ndër vite.

Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua në mënyrë të veçantë ish-kongresmenit republikan amerikan Bob McEwen, aktualisht këshilltar për veprimin konservator pranë zëvendëspresidentit amerikan JD Vance.

“I dashur Bob, 35 vite më parë përmbysëm një diktaturë, diktaturën më oruelliane të Europës së bashku, tani do përmbysim diktaturën e Edvin Ballukut, diktaturën më të shëmtuar midis diktaturave autokratike”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së përshëndeti gjithashtu praninë e deputetit grek Vassilios Giogiakas, përfaqësues i partisë Demokracia e Re, duke kujtuar marrëdhëniet e hershme të bashkëpunimit mes demokratëve shqiptarë dhe forcës politike të themeluar nga familja Mitsotakis.

Berisha falënderoi edhe përfaqësuesin e VMRO-DPMNE-së, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy partive dhe dy vendeve si të gjatë dhe të suksesshëm.

Në fjalën e tij, kreu i demokratëve vlerësoi gjithashtu ish-deputetin gjerman të CDU-së, Volkmar Klein, si një mik të çmuar të PD-së, demokracisë dhe Shqipërisë, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Kristian Demokrat gjerman dhe Fondacionit Konrad Adenauer ndaj Partisë Demokratike ndër vite.

Sipas Berishës, lidhjet me partitë e qendrës së djathtë në Europë dhe SHBA mbeten një faktor i rëndësishëm për forcimin e opozitës dhe të vlerave demokratike në Shqipëri.

Të fundit